Botë

Heqja e barrikadave në Kosovë, Serbia heq gjendjen e gatishmërisë luftarake

30.12.2022 11:25

Me vendim të Presidentit dhe Komandantit të Përgjithshëm, Aleksandar Vuçiç, Serbia ka hequr gjendjen e gatishmërisë luftarake për ushtrinë e saj....

Me vendim të Presidentit dhe Komandantit të Përgjithshëm, Aleksandar Vuçiç, Serbia ka hequr gjendjen e gatishmërisë luftarake për ushtrinë e saj.
 
Gatishmëria luftarake u shpall më 26 dhjetor për shkak të situatës në veri të Kosovës. Në këtë masë u përfshinë vetëm disa ushtarë dhe mjete luftarake të vendosura në Rashkë, dy kilometra larg nga kufiri me Kosovën. Vendimi erdhi pasi dje filloi heqja e barrikadave të serbëve, që për 20 ditë bllokonin pika të rëndësishme të kalimit në Veri. Vendimi për zhbllokimin e rrugëve në veri të Kosovës erdhi pas ndërmjetësimit nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, tha se ka marrë garanci të forta ndërkombëtare për plotësimin e kërkesave të  serbëve të Kosovës.
 
Shefi i Politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell, është i kënaqur  që diplomacia mbizotëroi në uljen e tensioneve mes palëve. Zhbllokimi i rrugëve u përshëndet edhe nga KFOR. Barrikadat nisën të vendoseshin në veri të Kosovës më 10 dhjetor, pas arrestimit të ish-policit Dejan Pantiç, që akuzohet për terrorizëm, për shkak të sulmit me armë ndaj zyrtarëve të KQZ në Mitrovicë. Ai tashmë gjendet në arrest shtëpiak.