Botë

Vuçiq pretendon fitore diplomatike, Kurti: Barrikadat vetë i vunë dhe vetë i hoqën

30.12.2022 14:36

Pasditen e së enjtes u hoqën barrikadat e vendosura më 10 dhjetor nga bandat kriminale në veri...

Pasditen e së enjtes u hoqën  barrikadat e vendosura më 10 dhjetor nga bandat kriminale në veri, u hap edhe vendkalimi kufitar  në Merdare. Sot u hapën edhe Jarinja dhe Bërnjaku. Beogradi zyrtar vlerëson se ka arritur një fitore të vogël diplomatike. Presidenti Vuçiq, i apelon perëndimit,  t'u përmbahet garancive të dhëna.
 
“Është e rëndësishme që bashkësia ndërkombëtare të përmbushë garancitë që ka dhënë dhe të kuptojë se po vepronin në mënyrë naive  dhe se e panë dikë të ndërtonte katër baza, jo për të krijuar besim me njerëzit që jetojnë në veri, por për t’i kërcënuar.”, - deklaroi presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
 
Prishtina nuk mendon se Serbia ka arritur ndonjë fitore diplomatike. Kryeministri Kurti  në takimin e fundvitit me gazetarët, tha se është një sinjal i mirë që rrugët po zhbllokohen pa ndërhyrjen e policisë së Kosovës.
 
“Barrikadat po hiqen. Ne thamë të dielën se ishte vetëm çështje ditësh që ato  të largoheshin. Aq më mirë që kjo po bëhet pa ndërhyrjen e policisë. Barrikadat vetë i vendosën, vetë i hoqën, me fjalë të tjera, bllokuesit janë të lodhur.”, është shprehur Kurti.
 
Heqja e barrikadave serbe në Kosovë, BE, NATO, ShBA: Tani duhet një zgjidhje politike
 
BE, NATO e ShBA kanë përshëndetur heqjen e barrikadave, por kërkojnë të bëhet kujdes me hapat që do të ndiqen, sepse situata, sipas tyre, mbetet delikate. Miroslav Lajçak thotë madje se niveli i mosbesimit mes palëve nuk ka qenë kurrë më i lartë se tani. NATO pret nga Kosova dhe Serbia që t’u përmbahen angazhimeve të tyre, dhe nënvizon se KFOR-i është i gatshëm të ndërhyjë nëse do të paraqitet nevoja, në përputhje me mandatin e tij për të ruajtur lirinë e lëvizjes. Ambasadori amerikan në Serbi, Kristopher Hill, vlerëson  se për të qetësuar situatën në Kosovë, duhet një zgjidhje  politike. 
 
GYLTEN SINANI