Maqedoni
Zjarri në “Gjorçe Petrov”, nuk ka viktima, ka shqetësuar qytetarët
30.12.2022 15:27
Shpërthimi i një zjarri në “Gjorçe Petrov”, ka shkaktuar panik dhe shqetësim te qytetarët...

Shpërthimi i një zjarri në “Gjorçe Petrov”, ka shkaktuar panik dhe shqetësim te qytetarët. Për fat të mirë nuk ka viktima, por vetëm dëme materiale. Dëshmitarët thonë se zjarri shpërtheu në një kasolle ku ka jetuar një i pastrehë dhe pastaj është përhapur edhe te objektet e tjera.
“Ndalova me veturë këtu, pash këtu një flakë të madhe, përndryshe ai është objekt i vjetër, nuk e di saktë prej kur. Mund të jetë shkaktuar si pasojë e instalimit të vjetër.”, thuhet në anketë.
“Kishte zjarr këtu anash te kjo shtëpia dhe pastaj u përhap më lartë. Erdhën zjarrfikësit e shuan, por nuk mundën ta shuajnë zjarrin lartë dhe pastaj u përhap në të gjithë objektin.”, thuhet në anketë.
Nga brigada zjarrfikëse informuan se lajmërimi për zjarr ka ardhur pas orës 10 të mëngjesit, ku janë dërguar dy automjete nga brigada zjarrfikëse e Gjorçe Petrovit, por të cilat nuk kanë qenë të mjaftueshme për shuarjen e zjarrit, kështu që në ndihmë kanë ardhur edhe automjete nga qendrat zjarrfikëse e “Taftalixhes” dhe “Avtokomandës”.
“U ballafaquam me një zjarr të ndezur në pjesën e lartë të kulmit, ku u përballëm me një temperaturë të lartë, pasi ishte çati e mbuluar me llamarina. Është intervenuar shpejtë. Për fat të mirë nuk ka të lënduar nga kolegët.”, - u shpreh zjarrfikësi, Zvonko Tomevski.
Zjarrfikësit thanë se me sukses është penguar përhapja e mëtejshme e zjarrit në objektet tjera.
BELINDA KOKA ADEMI
