Maqedoni

Mickovski: S’kemi mandat për ndryshime kushtetuese

30.12.2022 16:05

Kreu i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickovski refuzon të përkrah ndryshimin e Kushtetutës për të përfshirë edhe komunitetin bullgar në preambulë....

Kreu i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickovski refuzon të përkrah ndryshimin e Kushtetutës për të përfshirë edhe komunitetin bullgar në preambulë. Sipas tij askush nuk ka mandat për një gjë të tillë pasi ndryshimi i kushtetutës nuk ka qenë pjesë e ofertës politike në fushatën e zgjedhjeve të fundit parlamentare. Konsideron se kjo shumicë parlamentare nuk mund të ndryshojë kushtetutën dhe se zgjedhjet e parakohshme parlamentare janë të paevitueshme.
 
“Askush nga ne nuk premtoi se do të ndryshojë kushtetutën. Nga ana tjetër qeveria e BDI-së e përkrahur nga LSDM, nënshkroi aneks-marrëveshje për fqinjësi të mirë me Bullgarinë, supozoj për të vazhduar karrierat politike për disa muaj premtonte diçka që s’mund ta realizonte. Kaluan gjashtë muaj dhe s’ka kushte për të ndryshuar kushtetutën. Marrë parasysh gjithë këtë, duhet që një orë e më parë të mbahen zgjedhje të parakohshme parlamentare, pasi është e qartë se ky koalicion kështu siç është s’mund të vazhdojë më tej.”, deklaroi kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski.     
 
Mickovski tha se e inkurajon fakti që deputetë të pushtetit japin sinjale se janë të gatshëm që të përkrahin vetë shpërndarjen e Parlamentit për të shkuar në zgjedhje të parakohshme parlamentare. Propozon që zgjedhjet të mbahen më 14 dhe 21 maj të vitit 2023.
 
Kovaçevski: duhet të marrim vendime të vështira
 
Dhe përderisa, Mickovski vlerëson se Qeveria ka dështuar dhe se viti 2022 ka qenë një katastrofë politike, pushteti çmon punët që ka bërë dhe detyrimet që ka deri në fund të mandatit. Pushteti s’ka disponim për zgjedhje.
 
“Së bashku kaluam një vit të vështirë. U përballëm me pasojat e pandemisë, pasojat e krizës ekonomike dhe energjetike. Njëkohësisht duhet të marrim vendime të vështira për të ardhmen tonë evropiane. Kjo për mua personalisht ishte sfida me e madhe jetësore, pasi e dija se jam përgjegjës për popullin tim, për çdo qytetar, për të ardhmen tonë dhe tuaj.”, - theksoi kryeministri, Dimitar Kovaçevski.
 
Gashi: Zgjedhje të parakohshme s’janë të nevojshme
 
“Zgjedhjet në vitin 2023 nuk janë të nevojshme. Mendoj që kemi shumë punë për të bërë dhe mendoj që Qeveria duhet të përkushtohet maksimalisht në punën e vet, në zgjidhjen e problemeve me krizën energjetike dhe krizën ekonomike.”, - u shpreh kryetari i Alternativës, Afrim Gashi.
 
Ndryshimet kushtetuese janë kusht për vazhdimin e negociatave aderuese në BE. Subjektet politike kanë afat deri në nëntor të vitit 2023 që të arrijnë konsensus politik dhe miratojnë këto ndryshime. 
 
SHPËTIM NUREDINI