Maqedoni
Zgjerimi i shumicës, Gashi: Shumica parlamentare stabile
30.12.2022 16:33
Shumica parlamentare me 64 deputetë është stabile, siguron kryetari i “Alternativës” Afrim Gashi....

Shumica parlamentare me 64 deputetë është stabile, siguron kryetari i “Alternativës” Afrim Gashi, sipas të cilit fokusi duhet të vihet në zgjidhjen e krizës ekonomike, energjetike dhe s’duhet të humbim kohë në kombinatorika të reja për shumicë parlamentare. Edhe përkundër këtij qëndrimi të “Alternativës”, Gashi nuk kundërshton përfshirjen e ASH-së në qeveri, me të cilët thotë se ka ruajtur raporte tejet të mira.
“Natyrisht i kam thënë se nëse ata vendosin që të hyjnë, “Alternativa” do të jetë këtu për të bashkëpunuar me ta, por vendimi mbetet i tyre. Ne nuk përzihemi në vendimet e partisë së tyre dhe ne vetëm kemi shprehur gatishmërinë që të jemi bashkëpunues me ta pavarësisht se në çfarë pozita jemi. Ne në qeveri, opozitë, bashkë në qeveri, bashkë në opozitë e kështu me rradhë.”, - deklaroi kryetari i “Alternativës”, Afrim Gashi.
Ndryshimet kushtetuese, Gashi: Të patjetërsueshme, nëpërmjet dialogut
Ndërkohë shumica aktuale e ka të pamundur të ndryshojë kushtetutën. Gashi konsideron se ndryshimet duhet të bëhen sa më shpejtë nëpërmjet dialogut me opozitën, pa kushtëzime.
“Duhet që të bindim të gjitha partitë opozitare dhe partitë e tjera të cilat kanë mendim ndryshe, të bisedojmë hapur me ata, publikisht, por edhe vetëm që të ndërtojmë qëndrim të përbashkët se kjo është më e shëndetshme për të gjithë ne.”, - u shpreh kryetari i “Alternativës”, Afrim Gashi.
Dialogu ndërpartiak është paralajmëruar javën që vjen edhe nga BDI, ndërkohë që kreu i kuvendit i gatshëm që ta vë në rend dite me të arritur konsensusi i gjerë partiak nga dhjetë janari kur pritet të mbahet seanca e parë.
MERAL ISMAILI
