Botë
Kuvendi i Malit të Zi, e shpalli Lekiqin mandatar për qeverinë e re
30.12.2022 17:39
Kriza politike në Malin e Zi që është në sipërfaqe nga gushti kur qeveria e kryeministrit Dritan Abazoviq...

Kriza politike në Malin e Zi që është në sipërfaqe nga gushti kur qeveria e kryeministrit Dritan Abazoviq u shkarkua nga shumica parlamentare, mund të zgjidhet përmes ligjit kontestues për President të Malit të Zi që është miratuar javën e kaluar dhe i cili i ka mundësuar shumicës Parlamentare që Kuvendi dhe jo Presidenti t’i ndanë mandatin për formimin e Qeverisë.
Një gjë e tillë ka ndodhur mbrëmë ku parlamenti malazez me shumicë votash i dha mandatin për të formuar një qeveri të re Miodrag Lekiq, edhe pse kjo ishte refuzuar nga Presidenti malazez Milo Gjukanoviç. Gazetarja Ilmira Lika nga Mali I Zi ka pohuar për TVM2 se plasaritjet po vazhdojnë mes pozitës vet shumicës së 41 deputetëve.
“Këtu kemi situatë përsëri të pa qartë, sepse vazhdon plasaritja në mes vet 41-it apo shumicës aktuale, e cila vazhdimisht është e brishtë. Këtu shihet qartë se të gjithë shmangen zgjedhjeve parlamentare, sepse ato do të ishin më reale për të gjithë popullin, sepse skena politike këtu në Mal të Zi vërtet destabilizuese, sepse e njëjta nuk përçon askund as popullin, por as shtetin, sepse kemi forcat pro ruse dhe pro malazeze. Të gjithë presim që të kemi zgjedhje të parakohshme të mundshme për të cilat po negociohet që mund të jenë së bashku me ato presidenciale të cilat priten të jenë në prill të vitit të ardhshëm.”, - u shpreh gazetarja nga Mali i Zi, Ilmira Lika.
Sipas gazetarës Lika vazhdojnë plasaritjet edhe në mes vet shumicës aktuale, sepse partia e PZP-së të cilët funksionojnë pranë koalicionit Frontit Demokratik, kanë propozuar që Nebojsha Medoevic që të jetë kordinator i çështjes së sigurisë, mirëpo mandatari këtë person nuk do që ta ketë në Qeveri, dhe nëse kjo do të ndodhë kjo parti nuk pritet ta mbështet formimin e Qeverisë.
Pikërisht lëshimet në ligjin e Presidentit i mundësoi që Kryetarja e Kuvendit Danijela Gjuroviq të merrte atë vendim që Kuvendi të jap mandatin, kurse ky ligj redukton kompetencat e presidentit të shtetit.
Nga shumica thonë se një rast i tillë ishte edhe në vitin 2017 në RMV. Ky ligj ishte kritikuar nga diplomatë të huaj, ndërsa mendim negativ kishte dhënë edhe Komisioni i Venecias, duke shtuar se kompetencat kushtetuese të presidentit nuk mund të ndryshohen me ligj të zakonshëm.
FITIM KRYEZIU
