Urimi i fillimvitit i filharmonisë së Vjenës, miliona telespektatorë ndoqën live koncertin

01.01.2023 14:30

Muzika e familjes Shtraus në Koncertin e Vitit të Ri....

Muzika e familjes Shtraus në Koncertin e Vitit të Ri, tregon se kemi lënë pas edhe një vit tjetër dhe kemi filluar mbarë një vit të ri.

Transmetimin e  drejtpërdrejtë të këtij koncerti festiv sivjet, e ndoqën miliona telespektatorë  përmes mbi 100 transmetuesve publikë në mbarë botën, mes tyre edhe teleshikuesit e TVM 2 dhe TVM 2 SAT, pa harruar këtu miliona dëgjues të radios dhe ata që e ndoqën  transmetimin në internet në live stream.

Nuk kishte si të mos ketë një sukses kaq të padiskutueshëm edhe ky koncert i fillimvitit 2023.

Dirigjenti  Franz Vesler Most, që kishte nderin të drejtonte orkestrën për të tretën herë në karierën etij, kishte përzgjedhur shumë pjesë premierike sivjet. Korit të djemve të Vjenës me një histori 525 vjecare, iu bashkangjit kori i ri i vajzave vjeneze i themeluar në 2004. Dhe trupa e baletit ishte si gjithmonë shtesë fantastike e bukurisë klasike të veprave kryesisht të familjes Shtraus.

E për kënaqësinë e të gjithë shqiptarëve, i ndoqëm me emocion pamjet nga interpretimi edhe i  violinistit shqiptar  me përmasa botërore, Shkëlzen Doli, që tashmë disa vite është bërë pjesë e ansamblit të këtij koncerti festiv.

I mbajtur për herë të parë në vitin 1939 Koncerti i Vitit të Ri i Filharmonisë së Vjenës, është kartolina më e bukur festive e fillim vitit, një kartolinë që tashmë 20 vite edhe TVM 2 e  sjell për ju, për t’ju uruar një vit sa më të mbarë. (Migena Gorenca, TVM2)