Ekonomi

2023, vit i rëndë ekonomik, FMN: Në recesion 1/3 e ekonomisë botërore

02.01.2023 12:42

Viti 2023, do të jetë më i vështirë se viti që po lëmë pas nga aspekti ekonomik....

Viti 2023, do të jetë më i vështirë se viti që po lëmë pas nga aspekti ekonomik. Shtetet e Bashkuara, Europa dhe Kina do të pësojnë një ngadalësim të aktivitetit ekonomik, paralajmëron në intervistën e saj për për CBS, kreu i Fondit Monetar Ndërkombëtar. Vetëm  ekonomia amerikane mund të shmangë kolapsin e plotë, që parashikohet  të prekë deri në një të tretën e ekonomive të botës, thotë Georgieva.
 
“Vendet e BE-së, e u goditën rëndë për shkak të  invazionit rus në Ukrainë. Vitin e ardhshëm, gjysma e Bashkimit Europian do të jetë në recesion. Vlerësimet janë që  një e treta e ekonomisë botërore të jetë në recesion. Edhe në vendet që nuk janë në recesion, qindra milionë njerëz do ta kenë këtë ndjenjë.”,-  tha drejtoresha  e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Kristalina Georgieva.
 
Në tetor, FMN uli perspektivën për rritjen ekonomike globale në vitin 2023 për shkak të presionit të vazhdueshëm nga lufta në Ukrainë, si dhe presioneve inflacioniste dhe normave të larta të interesit të vendosura nga bankat qendrore, për të moderuar rritjet e çmimeve. Por edhe pse parashikon vit të vështirë, për Georgievën, mbresëlënës është fakti që  Europa po ecën me vendosmëri drejt pavarësisë energjetike nga Rusia.
 
“Po ndjekim reagksionin e shokut energjitik në Europë dhe Europa në mënyrë të vendosur po lëviz në drejtim të pavarësisë energjitike nga gazi rus. Por do të kemi një dimër të vështirë e dimri tjetër mund të jetë më i vështirë akoma. Lajm i mirë është se po vjen liria nga varësia e Rusisë.”,- tha Georgieva.
 
Sipas saj, Kina, ekonomia e dytë më e madhe në botë, ka të ngjarë për herë të parë në 40 vjet, të rritet nën ose në nivelin e rritjes ekonomike globale. Ekonomia në Kinë është nën presionin e rritjes së numrit të rasteve me Covid-19 pas heqjes së masave të rrepta dhe braktisjes së politikës “zero covid”.  
 
FITIM KRYEZIU