Maqedoni
Kriza energjitike, Kovaçevski: Synim, rritje e prodhimit vendor
02.01.2023 13:45
Drejtori i Elektranave të Maqedonisë, thotë se 2022 ishte një vit jashtëzakonisht i vështirë në aspektin energjetik....

Drejtori i Elektranave të Maqedonisë, thotë se 2022 ishte një vit jashtëzakonisht i vështirë në aspektin energjetik. Sfida më e madhe ishte menaxhimi i dy krizave të mëdha, krizës me energjinë elektrike dhe me energjinë termike. Kovaçevski, e cilëson si arritje sigurimin e energjisë elektrike dhe ngrohjes për qytetarët, institucionet dhe ekonominë, pa asnjë ditë restriksion, edhe përkundër krizës. Thotë se po punohet për rritjen e prodhimit vendor këtë vit.
“Plani për vitin 2023 është rritja e prodhimit të energjisë elektrike me rreth 20% krahasuar me vitin e kaluar. Arritëm të vëmë në funksion të gjitha kapacitetet prodhuese vendore të energjisë elektrike, duke ulur kështu varësinë nga blerja e energjisë elektrike të shtrenjtë. Prodhimi vendor është më i liri dhe prandaj po e rrisim. Përveç kësaj, në kohë krize ne reduktojmë ndjeshëm kostot e prodhimit dhe kostot joproduktive. Kështu, arrijmë të mbajmë çmimin e energjisë elektrike më të ulët për qytetarët dhe bizneset e vogla.”,- tha Vasko Kovaçevski, drejtori i përgjithshëm i AD ESM.
Sipas tij, kompania në periudhën e kaluar ka treguar se me menaxhim të mirë mund të sigurojnë sasi të mjaftueshme të thëngjillit, mazutit dhe gazit natyror.
“Kemi kontrata të qëndrueshme për blerjen e energjisë, si dhe për nevoja të tjera për procesin e prodhimit. Gjatë krizës energjetike ne iu përgjigjëm të gjitha detyrave të Qeverisë. Kemi siguruar 100 për qind rrymë për qytetarët dhe bizneset e vogla, si dhe furnizojmë me energji më të lirë spitalet, shkollat, ujësjellësit, objektet ushqimore, si dhe shumicën e institucioneve vitale në vend. Po rritet kapaciteti i parkut me erë në Bogdanc, po përgatitet parku i ri me erë në Miravc. Faza e tretë për rivitalizimin e potencialit hidro të hidrocentralit në Çebren, është në zhvillim.”,- tha Kovaçevski.
Krahas krizës aktuale, thekson Kovaçevski, paralelisht po realizohen edhe investime në burimet e ripërtëritshme të energjisë. Është vënë në funksion termocentrali i parë shtetëror fotovoltaik në Osllomej, dhe dy të tjerë janë duke u ndërtuar me partnerë privatë nga jashtë. Janë duke u bërë përgatitjet për termocentrale të reja fotovoltaike në Manastir, Tikvesh, Mavrovë dhe lokacione të tjera.
FITIM KRYEZIU
