Maqedoni
Rritet ndotja e ajrit, kriza enegjitike përkeqëson situatën
02.01.2023 14:26
Tetova, Gostivari Kërçova dhe Prilepi, mbeten qytetet me përqendrimin më të lartë të substancave ndotëse në ajër edhe këtë vit...

Tetova, Gostivari Kërçova dhe Prilepi, mbeten qytetet me përqendrimin më të lartë të substancave ndotëse në ajër edhe këtë vit. Këtë e tregojnë stacionet zyrtare matëse të Ministrisë së Ekologjisë. Edhe pse nuk është në treshen e parë, as Shkupi nuk është në gjendje më të mirë е aktualisht në kryeqendër ka vlera mesatarisht të larta të ndotjes. Mjegulla e komplikon më tej situatën në kryeqytet dhe meteorologët paralajmërojnë se mjegulla do na shoqërojë deri në fundjavë
“Duket se do të ketë një valë të lagësht fundjavën e ardhshme, pra gjatë festës së Krishtlindjes. Nuk priten reshje të dendura por ato, si të thuash, do të përziejnë atmosferën duke zvogëluar kështu kustet për krijimin e mjegullës.”, tha Kostadinka Arsovska nga EHM.
Ndotja, ky problem i trashëguar, është përkeqësuar ndjeshëm edhe nga kriza energjetike, me rritjen e përdorimit të karburanteve të dëmshme për shëndetin. Planet e gazifikimit, që duhet të pastrojnë ndjeshëm ndotjen, mbeten vetëm plane, e tubat nuk kanë arritur në objektet ku duhet të përdoren. Për të hartuar politika serioze shtetërore duhen edhe të dhëna të sakta por sistemi i monitorimit të ndotjes, merr vazhdimisht vetëm “thërrime” nga buxheti dhe kështu merren statistika jo të plota për ndotjen e ajrit.
Ndotja e ajrit, përveç shëndetit, do të prekë edhe të gjitha segmentet e tjera. Vetëm në dy ditët e fundit, smogu dhe mjegulla devijuan ose anuluan një duzinë avionësh që duhej të uleshin ose të ngriheshin nga aeroporti i Shkupit. Në shumë akse të rëndësishme rrugore, shikueshmëria ishte e ulët deri në 40%.
FLORIJE BELULI KAMBERI
