Botë

Bullgari, Radev mandaton Denkovin për formimin e qeverisë

03.01.2023 14:25

Presidenti bullgar Rumen Radev ia dorëzoi mandatin e dytë për formimin e qeverisë Nikolai Denkov...

Presidenti bullgar Rumen Radev ia dorëzoi mandatin e dytë për formimin e qeverisë Nikolai Denkov, të nominuar për kryeministër nga “Vazhdojmë me ndryshimin”. Radev gjatë dhënies së mandatit u shpreh se shpreson që Denkov dhe partia që ai përfaqëson do të kërkojnë mbështetjen e nevojshme parlamentare. Nga ana tjetër Denkov tha se në emër të “Vazhdojmë me ndryshimin” mandatin e dytë e pranon me vetëdije të qartë se detyra është jashtëzakonisht e vështirë dhe tha se janë të bindur se duhet bërë gjithçka që është e nevojshme për formimin e qeverisë. 
 
“Shumë thonë se është e pamundur. Megjithatë, ne jemi të bindur se duhet të bëjmë gjithçka që është e nevojshme për të formuar një qeveri në mandatin aktual. Shumë probleme janë grumbulluar, shumë reforma janë vonuar dhe ne kemi nevojë për një qeveri që do t'i bashkojë njerëzit dhe do të zgjidhë problemet e tyre. Kjo është arsyeja pse ne kemi ndryshuar qasjen në përgatitjen dhe zbatimin e këtij mandati. Ne i shfrytëzuam festat për të përcaktuar katër synime kombëtare që besojmë se bashkojnë njerëzit dhe formacionet politike dhe për të bërë një listë aktivitetesh që, nëse zbatohen në vitin 2023, do të na afrojnë në përmbushjen e këtyre synimeve kombëtare dhe do të rikthejnë besimin e njerëzve te politikanët.”, - u shpreh Nikollai Denkov nga “Vazhdojmë me ndryshimin”.
 
Denkov e informoi presidentin e Bullgarisë se kanë pasur konsultime me tri parti parlamentare – Bullgaria Demokratike, BSP dhe Ngritja Bullgare. “Vazhdojmë me ndryshimin”, do të dorëzojë deklaratë me prioritetet kombëtare në Kuvendin e 48-të dhe gjatë votimit do të shihet nëse ka shumicë në mbështetje të qeverisë së tyre, sqaroi kandidati për kryeministër, Nikolaj Denkov. Votimi për deklaratën pritet të bëhet më 5 janar në Kuvendin Kombëtar të Bullgarisë, por afati për kthimin në mandatin e dytë sipas kushtetutës bullgare skadon më 12 janar.
 
ERSAN PAJAZITI