Maqedoni
Shkup, mjegulla shkas për anulimin e disa fluturimeve
03.01.2023 15:30
Shkupi prej disa ditësh është kapluar nga mjegulla dhe ndotja e lartë e ajrit....

Shkupi prej disa ditësh është kapluar nga mjegulla dhe ndotja e lartë e ajrit. Nga Lidhja Auto-moto e Maqedonisë thonë se mjegulla ka ulur dukshmërinë nga 50 deri në 80 metra, duke e vështirësuar komunikacionin tokësorë dhe ajrorë.
“Ulje e dukshmërisë për shkak të mjegullës nga 50 deri në 80 metra në akset rrugore Tetovë – Grupçin, Manastir – Prilep, Kumanovë dhe Shkup – Veles. Intensiteti i trafikut në rrugët jashtë zonave urbane është rritur. Në vendkalimet kufitare nga ana e Maqedonisë nuk ka më vonesa për hyrje dhe dalje nga vendi. Komunikacioni në rrugët shtetërore zhvillohet në vend të lagësht”, njofton AMSM.
Mjegulla ka ndikuar në anulimin e disa fluturimeve nga aeroporti i Shkupit.
“Nga ora 20 në datën 1 janar, deri në orën 9 të mëngjesit të sotëm 9 fluturime u anuluan, 4 u drejtuan në aeroporte të tjera për shkak të shikueshmërisë së dobët si rezultat i mjegullës së dendur në Shkup. I udhëzojmë udhëtarët ta ndjekin faqen tonë të internetit për ndryshime eventuale në orarin e fluturimeve”, bëjnë të ditur nga Aeroporti “Tav”.
Metereologët: Të mërkurën ulet mjegulla në kryeqendër
Ndërkohë metereologët bëjnë të ditur se në pjesën e parë të janarit nuk priten ndryshime të mëdha të motit, i cili do të vazhdojë të jetë stabil dhe me temperatura të larta të cilat nuk janë karakteristike për këtë periudhë të vitit. Ndërsa mjegulla pritet të ulet të mërkurën.
“Të mërkurën pritet të ketë erë mesatare veri-perëndimore sidomos në luginën e Vardarit, prandaj kushtet e mjegullës do të duhej të uleshin. Një valë reshjesh duket se do të ketë vikendin e ardhshëm, Nuk priten reshje të mëdha, por ajo do ta përziej atmosferën dhe përsëri do të zvogëloheshin kushtet për mjegull.”, - u shpreh një metereologe.
Sa u përket reshjeve, metereologët sqarojnë se bëhet fjalë për reshje të borës në zonat malore. Njëherit, metereologët në vend përjashtojnë mundësinë që vendi të kaplohet nga ndonjë valë ekstreme e të ftohtit, siç po ndodh aktualisht në rajonin e Kalifornisë në ShBA.
LEUNORA KALIQI
