Maqedoni

BDI: Do të rriten pensionet dhe paga minimale

03.01.2023 17:15

Edhe gjatë këtij viti do të vazhdojnë masat e suksesshme ekonomike në vend...

Edhe gjatë këtij viti do të vazhdojnë masat e suksesshme ekonomike në vend, thonë nga Bashkimi Demokratik për Integrim, sipas të cilës kujdesin ndaj qytetarëve mbetet gjithnjë në fokus të parë. 
 
“Nga muaji mars do të vazhdojë rritja e pensioneve për rreth 7%, me përfshirjen e rreth 330 mijë pensionistëve. Bashkë me pensionet janë krijuar kushtet për rritjen e pagës minimale për 10% që do të jetë jo më pak se 20 mijë denarë, që do të harmonizohet me rritjen e pagave në të gjithë sektorët. BDI vlerëson se punohet në mënyrë aktive për tërheqjen e investimeve të huaja të cilat hapin vende të reja të punës e që automatikisht ulet përqindja e papunësisë në vend, e që njëkohësisht janë paraparë 250 milionë euro për masat e reja anti-krizë. Në buxhetin e vitit 2023 janë paraparë 800 milionë euro për investime kapitale me çka do të ketë rritje të madhe ekonomike, që sipas parashikimet e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim do jetë rreth 2,3%”, thonë nga BDI. 
 
Rritja e çmimit të energjisë, ASh: Paralajmëron krizë të thellë dhe recesion
 
Nga ASh theksojnë se rritja e çmimit të energjisë paralajmëron krizë të thellë dhe recesion, prandaj kërkojnë Qeveria t’i pranojë propozimet e ASh-së. 
 
“Rritja e çmimit të energjisë elektrike në një kohë kur treguesit e varfërisë janë në rritje, ndërsa treguesit e zhvillimit ekonomik dhe ato të të ardhurave për qytetarët janë në rënie të vazhdueshme, është shprehje e një cinizmi të skajshëm, karakteristik për qeveritë që humbasin çdo lidhje me realitetin.  Gjatë muajit qershor 2022, KRrE aprovoi një rritje prej mbi 60% të çmimit të treguesit të furnizimit të energjisë elektrike për konsumatorët e biznesit të vogël, me çka çmimi final i furnizimit dhe distribuimit me energji elektrike ishte në nivelet prej 279 € për MWh, një çmim shumë herë më i lartë krahasuar jo vetëm me vendet e rajonit, por edhe me disa vende të tjera anëtare të BE-së dhe me ekonomi më të zhvilluar. Ky çmim i lartë për këtë kategori konsumuese, ishte një goditje e rëndë dhe vrastare për biznesin e vogël, me çka shumë biznese u mbyllën në pamundësi për të ekzistuar, duke lënë pa punë mijëra familjarë”, thonë nga ASh. 
 
Sipas kësaj partie vetëm pasi krijoi këtë kaos dhe pasi hasi në kundërshtim të ashpër të Aleancës për Shqiptarët, dhomave ekonomike dhe shoqatave të biznesit për këto rritje marramendëse të çmimit të energjisë elektrike për kategorinë konsumuese të biznesit të vogël, qeveria aktuale ishte e detyruar të reflektojë dhe më 29.12.2022 aprovoi ulje të çmimit të energjisë elektrike për këtë kategori konsumuese, ulje e cila i faturohet si sukses  kundërshtimeve të zëshme e të arsyeshme të faktorëve të lartpërmendur, e jo kësaj qeverie, e cila numëron vetëm mossuksese, skandale e korrupsion. 
 
SANIJE DURAKU