Vjosa del sërisht nga shtrati, qytetarët në rrezik
Situata në jug të shqiperise po rendohet gjithmonë e më shumë për shkak të përmbytjeve. Reshjet e shiut rrisin në çdo orë nivelin e lumit Vjosa që ka arritur në shifra rekord në këto 50 vitet e fundit...

Janë me mijëra personat që kanë lënë banesat e tyre ndërsa dhjetëra persona kanë kërkuar ndihmën e policisë, ushtrisë dhe emergjencave civile për të shpëtuar veten. Alarmi më i fundit është dhënë nga punonjësit e një punishteje në Vlorë, pranë Kripores, ku ujërat po shkatërrojnë gjithçka, por më e rëndësishmja kërcënojnë punonjësit që ndodheshin aty.
Në Novoselë, situata është e rënduar. Janë rreth 120 familje të evakuuara, por ka edhe familje të tjera që presin ndihmë me helikopter. Rruga nacionale nuk ka probleme kalueshmërie, por rruga e vjetër është tërësisht e pakalueshme, Nderkohe prurjet e shumta të lumit Shkumbin kanë shembur urën e vjetër prane Elbasanit, ndërkohë që kanë dëmtuar edhe urën e re ngjitur me të, e cila lidh Elbasanin me qytetin e Cerrikut, zonën e Dumresë dhe zonën e Shpatit.
Shembja e urës ka dëmtuar edhe një tubacion të ujit të pijshëm që furnizon disa lagje të qytetit të Elbasanit. Po ashtu është bllokuar edhe rruga Elbasan-Gramsh, pasi niveli i ujit ka kaluar mbi urën e Shushicës, pranë hidrocentralit të Banjës çka e bën të pamundur udhëtimin në këtë aks rrugor.
Lëvizja drejt Gramshit devijohet në aksin e vjetër. Edhe në disa komuna të Librazhdit ka pasur ndërprerje të energjisë elektrike për shkak të motit të keq. Në komunën Orenje janë bllokuar fshatrat Gurakuq dhe Zdranjsh për shkak të rrëshqitjeve të tokës.
