Botë
Rekordet e motit të pazakontë, temperaturat e larta çudisin Evropën
04.01.2023 12:27
Temperaturat për muajin janar kanë arritur një nivel të lartë historik në një sërë vendesh në të gjithë Evropën....

Temperaturat për muajin janar kanë arritur një nivel të lartë historik në një sërë vendesh në të gjithë Evropën. Në Spanjë, temperaturat e Ditës së Vitit të Ri në Bilbao, ishin ekuivalente me mesataren e korrikut. Në Zvicër, temperaturat arritën deri në 20 gradë celsius. Një pjesë e resorteve po përdorin borë artificiale për të mos humbur klientët, që janë mësuar të kalojnë pushimet dimërore duke bërë ski. Në Holandë, Lihtenshtejn, Lituani, Letoni, Çeki, Poloni, Danimarkë dhe Bjellorusi temperaturat kanë thyer rekordet kombëtare për stinën.
Temperatura të larta u regjistruan edhe në Gjermani, Francë e Ukrainë. Megjithatë, jo gjithkund në Evropë situata është kaq diellore. Në disa pjesë të Skandinavisë dhe Rusisë ka reshje të dendura bore, ndërsa në Moskë parashikohet që temperaturat të zbresin deri në minus 20 gradë celsius në fundjavë.
Amerika e veriut, ngrica pushton brigjet, 60 viktima deri tani
Ndërkohë që në Evropë njerëzit shijojnë rrezet e diellit, në Amerikën e Veriut ngrica ka pushtuar brigjet. Atje vijojnë stuhitë e dëborës, që deri tani kanë marrë jetën e 60 njerëzve. Dëborë e madhe dhe shi i ngrirë janë parashikuar për pjesë të veriut të Midëest, ndërsa stuhi të forta dhe tornado priten në Teksas, Oklahoma, Arkansas dhe Luiziana.
Edhe në Jordani, është dhënë alarmi për reshje të dendura shiu të shoqëruara me stuhi dhe breshër që mund të shkaktojnë përmbytje e rrëshqitje dheu. Reshje bore të përziera me shi priten gjithashtu në Akaba pranë kufirit me Irakun.
Bota tashmë është ngrohur me rreth 1.1 gradë celcius që nga fillimi i epokës industriale. Shkencëtarët alarmojnë se temperaturat do të vazhdojnë të rriten, nëse qeveritë në mbarë botën nuk bëjnë shkurtime të mëdha të emetimeve të karboneve.
FITORE DEMOLLI
