Botë

Shtendosja e situatës në veri të Kosovës, Qeveria gjermane: Të përqendrohemi te dialogu

04.01.2023 12:46

Qeveria gjermane është shprehur e lehtësuar pas shtendosjes së fundit të gjendjes në veri të Kosovës dhe largimit të barrikadave nga rrugët....

Qeveria gjermane është shprehur e lehtësuar pas shtendosjes së fundit të gjendjes në veri të Kosovës dhe largimit të barrikadave nga rrugët. Situata në veri tani është e qetë, por problemet kanë mbetur. Berlini kërkon vazhdimin e dialogut.
 
“Ky është një sinjal i mirë i të dy palëve, që rezultoi me heqjen e barrikadave nga minoriteti serb në veri të Kosovës. Tani duhet të përqendrohemi tek mbështetja e dialogut dhe vazhdimi i bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë”, deklaroi zëvendës zëdhënësja e qeverisë Christiane Hoffmann. Por, ajo nuk deshi t’i komentojnë kërkesat e kryeministrit të Kosovës,  Albin Kurti,  për dërgimin e më shumë ushtarëve të NATO-s në Kosovë. 
 
Përfaqësuesit e NATO-s ndërkohë kanë qenë të qartë në deklaratat se janë në gjendje të kujdesen për paqen dhe sigurinë. Ngjarjet në veri janë përshkallëzuar pas vendimeve për ndryshimin e targave ilegale, që ka rezultuar me daljen e serbëve nga veriu nga institucionet e Kosovës, shpalljet dhe pastaj shtyrjen e zgjedhjeve për kryetarë të bashkësive në veri, sulmet ndaj përfaqësuesve të Kosovës, por edhe atyre të bashkësisë ndërkombëtare, arrestimin e disa personave dhe lirimin në burg shtëpiak, bllokimin e rrugëve dhe heqjen e barrikadave. Por, ajo që më së shumti ka shqetësuar si përfaqësuesit politikë e diplomatikë, ashtu edhe ata ushtarakë, është retorika luftarake që është dëgjuar në Beograd, ngritja e gatishmërisë luftarake të ushtrisë dhe policisë serbe, por edhe kërcënimet nga autoritetet e Kosovës se do të veprojnë me dhunë në heqjen e barrikadave.