Maqedoni

Ndotja e ajrit, Shkupi ndër kryeqytetet më të ndotura në botë

04.01.2023 13:59

Një pjesë e madhe e vendit, po “mbytet” në përqendrimin e lartë të grimcave PM 10....

Një pjesë e madhe e vendit,  po “mbytet” në përqendrimin e lartë të grimcave PM 10. Shkupi është sërish ndër kryeqytetet më të ndotura në botë. Instituti i Shëndetit Publik paralajmëroi se ajri në disa qytete është jashtëzakonisht i keq dhe këshilloi qytetarët që të mos dalin nga shtëpitë e tyre. Nëse duhet të dilni jashtë, vini maska me efikasitet të provuar, apelojnë nga IShP. Sipas tyre, ajri është shumë i keq në Strumicë, Manastir dhe Kërçovë, ndërsa si i keq vlerësohet në Shkup, Negotinë dhe Prilep.
 
Tetova një javë nën mjegull, Mjekët: ndotja, rrezik serioz për shëndetin
 
Gjendja nuk është më e mirë as në Tetovë. Tashmë për më tepër se një javë tetovarët po fundosen në mjegull, e po ngulfaten në ajrin e ndotur, me koncentrim të grimcave PM deri në pesë herë më të larta se sa kufiri maksimal i lejuar. Kjo situatë seriozisht dëmton shëndetin e qytetarëve, kurse më tepër vuajnë personat me sëmundje kardiovaskulare dhe të mushkërive të bardha. 
 
“Nuk ka organ i cili nuk është i sulmuar nga këto grimca PM10, e sidomos të grimcave PM 2.5. Studimet më të reja tregojnë shumë të dhëna interesante si yndyra në mëlçinë e zezë, pastaj ndryshime degjenerative të trurit e kështu me radhë.”, - u shpreh specialisti i higjienës dhe ekologjisë shëndetësore, Ratko Davidovski.
 
Përmbysja e temperaturës në Pollog, me male të ngrohta dhe me diell dhe ultësira të ftohta dhe me mjegull, daton gati gjysmë shekulli , që me ndërtimin e liqenit të Mavrovës, ndërsa situata është përkeqësuar edhe më shumë me liqenin e Kozjakut.
 
ERSAN PAJAZITI