Maqedoni
Largohet mjegulla, normalizohet trafiku ajror gjatë pasdites
04.01.2023 14:36
Mëngjesin e kësaj të mërkure, mjegulla sërish shkaktoi probleme me dy fluturime në aeroportin ndërkombëtar të Shkupit....

Mëngjesin e kësaj të mërkure, mjegulla sërish shkaktoi probleme me dy fluturime në aeroportin ndërkombëtar të Shkupit.
“Nga ora 8 deri në ora 11:30 në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit janë anuluar dy fluturime, si pasojë e dukshmërisë së ulët për shkak të mjegullës së dendur.”, thuhet në njoftimin zyrtar të TAV Maqedoni.
Përpos anulimeve të mëngjesit, në mesditë ueb faqja zyrtare e aeroportit paralajmëroi për vonesa të disa fluturimeve deri në pesë orë. Megjithatë pasdite, me davaritjen e mjegullës, qarkullimi ajror nga dhe drejt Shkupit ishte normalizuar dhe po zhvillohej pa pengesa. Nga aeroporti i Ohrit, nuk kishte njoftime për fluturime të anuluara. Nga TAV Maqedoni, u bëjnë thirrje pasagjerëve që për ndryshime të mundshme në orarin e rregullt të fluturimeve, të ndjekin faqen tyre të internetit.
Moti i keq me mjegull ishte arsyeja që në ditët e kaluara, aeroporti i Shkupit, të anulojë dhe devijojë fluturimet. Mjegulla shkaktoi vonesë në një pjesë të madhe të fluturimeve, gjë që shkaktoi revoltë dhe padurim tek pasagjerët të cilët ose ishin vonuar për nisje ose ata që supozohej të fluturonin u devijuan në aeroporte të tjera në rajon.
SAFET ADEMI
