Maqedoni
Ndryshimet kushtetuese, Osmani: Rrezikojmë ndërprerjen e bisedimeve
04.01.2023 14:55
Ministri i jashtëm Bujar Osmani, alarmon se vendi duhet të fillojë procesin për ndryshimet kushtetuese...

Ministri i jashtëm Bujar Osmani, alarmon se vendi duhet të fillojë procesin për ndryshimet kushtetuese pasi, sipas tij, çdo vonesë rrezikon ndërprerjen e negociatave për anëtarësim. Debati publik duhet të sqarojë opinion se me ndryshimet kushtetuese vendi nuk humb asgjë, por avancon në procesin integrues. Tendenca politike për të ndërlidh ndryshimet kushtetuese me zgjedhje parlamentare veç krijon huti në opinion pasi krijon një paralele mes interesave shtetërore afatgjate dhe interesave politike partiake për një mandat qeverisje.
“Obligim kemi që deri në nëntor të përmbyllim procesin e ndryshimeve kushtetuese. Ky proces diku tre deri në gjashtë muaj në Parlament dhe në qoftë se duam që të mbyllet deri në nëntor, kjo nënkupton që ju veç më duhet të hyni formalisht në Parlament diku në pranverë. Kujtoj se, nëse nuk arrijmë deri në nëntor të përmbyllim ndryshimet kushtetuese do të ndërpriten bisedimet me BE-në. Do të humbim momentin politik, atë që unë e quaj një dorë që nuk shihet në procesin e BE-së është moment politik, me të gjitha implikimet që mund t’i ketë brenda dhe karshi BE-së.”, - deklaroi ministri i jashtëm, Bujar Osmani.
Alternativa: 2023-shi, vit i ndryshimeve kushtetuese
Viti 2023 është vit i ndryshimeve kushtetuese dhe i punëve dhe projekteve serioze e jo i zgjedhjeve, thonë nga Alternativa. “Për Alternativën, zgjedhjet e parakohshme në këtë periudhë do të ishin humbje kohe dhe shpenzim i panevojshëm në buxhet, duke marrë parasysh se viti i ardhshëm është gjithsesi vit i zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale.”.
Partitë politike në pushtet, por edhe partitë shqiptare në opozitë, ASh dhe BESA, janë deklaruar pro ndryshimeve kushtetuese dhe çdo reforme që kërkohet për vazhdimin e negociatave aderuese në BE, por votat e të gjithëve së bashku nuk mjaftojnë për të ndryshuar kushtetutën.
Të domosdoshme janë edhe disa vota të opozitës së kryesuar nga VMRO-DPMNE. Mirëpo, kjo e fundit dhe “E Majta” janë kundër ndërhyrjes në kushtetutë. Kreu i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski konsideron se askush s’ka mandat për të ndryshuar kushtetutën, pasi kjo gjë s’ka qenë pjesë e programit zgjedhor të asnjë partie, në zgjedhjet e fundit parlamentare. Rrjedhimisht, Mickovski kërkon zgjedhje të parakohshme parlamentare gjatë muajit maj, kërkesë që është refuzuar nga partitë në pushtet.
SHPËTIM NUREDINI
