Botë

Ndotja e ajrit, problem rajonal, ekspertët: Duhen zgjidhje afatgjata

04.01.2023 15:55

Ndotja e ajrit nuk është problem vetëm për vendin tonë, por është kthyer tashmë në problem edhe për rajonin..

Ndotja e ajrit nuk është problem vetëm për vendin tonë, por është kthyer tashmë në problem edhe për rajonin. Me të njëjtin problem përballen Shqipëria, Mali i Zi , Serbia dhe Bosnjë-Hercegovina. 
 
“Hapja e negociatave do të thotë më shumë ligje, më shumë plane strategjike, vendore dhe kjo përkthehet në shumë aktivitet dhe shumë gjëra që ne duhet t’i bëjmë. Fatmirësisht me pjesën ligjore kemi filluar, kemi shumë probleme me pjesën e implementimit, por do të vijë një moment që ne duhet të jemi brenda standardeve të BE- së. Është goxha punë, goxha e vështirë por kam përshtypjen se po lëvizin gjërat.”, - theksoi ekspertja e mjedisit – Shqipëri, Françeska Kornaçe.
 
“Zgjidhjen e përkohshme të problemit  e shohim përmes furnizimit me pastrues të ajrit që do të instaloheshin në qytet, të cilat ekzistojnë si zgjidhje teknologjike në botë.”, - deklaroi Azra Vukoviq nga OJQ “Green home” – Mali i Zi.
 
OBSh alarmon se kriza klimatike është kërcënimi më i madh shëndetësor për njerëzimin. Sipas saj, ndotja e ajrit vret 13 persona çdo minutë nga kanceri i mushkërive, sëmundjet e zemrës dhe goditjet në tru. Dhe çdo vit, në mbarë botën, ka mbi 13 milionë vdekje për shkaqe mjedisore që mund të shmangen. 
 
FLUTURA LATIFI