Botë

Dhoma e përfaqësuesve në ShBA, për herë të parë në 100 vjet, pa kryetar

04.01.2023 17:01

Ka dështuar zgjedhja e kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës...

Ka dështuar zgjedhja e kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që nuk ka ndodhur në Kongresin amerikan për një shekull. Kevin McCarthy, nuk arriti të zgjidhet kryetar pas tre raundesh votimi, ku 20 ligjvënës konservatorë votuan kundër kandidaturës së kolegut të tyre republikan. 
 
“Votimi nuk shkoi ashtu siç e dëshiroja, kishim shumë gjëra që dëshironim të bënim dhe nuk ndodhi asgjë prej asaj. Por, nëse arrijmë t’i tejkalojmë dallimet tona, ne me të vërtetë do të jemi më të fuqishëm.”, - deklaroi republikani nga Kalifornia, Kevin Mccarthy. 
 
Republikanët përmes Dhomës së Përfaqësuesve duan të kundërshtojnë agjendën e Presidentit Biden. Pa zgjedhjen e kryetarit, Dhoma e Përfaqësuesve nuk mund të fillojë punën, anëtarët e saj nuk mund të betohen, kryetarët e komisioneve nuk mund të emërohen, as nuk mund të thirren mbledhje dhe mund të kryhen hetime për administrimin e Bidenit.
 
“Nëse administrata nuk dëshiron t'i rregullojë këto probleme, njerëzit na thërrasin neve ta bëjmë këtë dhe fillon pikërisht këtu në shtëpinë e popullit. Le të përballemi me sfidat, jo vetëm republikanët, jo vetëm demokratët, por të gjithë.”, - theksoi republikani nga Louisiana, Steve Scalise. 
 
“Për herë të parë në 100 vjet, Dhoma e Përfaqësuesve nuk arriti të organizohej në ditën e hapjes. Është një ditë e trishtë për Dhomën e Përfaqësuesve si institucion. Është një ditë e trishtë për demokracinë, një ditë e trishtë për popullin amerikan.”, - u shpreh lideri i grupit demokratik të Dhomës së Përfaqësuesve, Hakeem Jeffries. 
 
Anëtarët e Dhomës së Përfaqësuesve do të takohen sërish për të shqyrtuar kandidatët e rinj. Në historinë amerikane, procedura për zgjedhjen e presidentit të Dhomës së Përfaqësuesve zgjati më së shumti në vitin 1856, kur deputetët arritën një marrëveshje vetëm pas dy muajsh dhe 133 raundesh votimi.
 
BELINDA KOKA ADEMI