Milani më në fund gjen fitoren

02.02.2015 10:49

Skuadra e Filippo Inzaghit ka shënuar fitore bindëse ndaj Parmas me rezultat 3-1, pasi kishte pesë ndeshje pa fituar në Serie A...

Rossonerët e filluan ndeshjen me një formacion sulmues, teksa sytë ishin kthyer edhe nga përforcimi i ri, Mattia Destro, që i kishte zënë menjëherë vendin Giampaolo Pazzinit si startues.

Ishte minuta e 17-të kur Milani përfitoi një penallti, pasi që mbrojtësi Rodriguez e kishte prekur topin me dorë. Nga pika e bardhë, Jeremy Menez nuk fali dhe i dha epërsinë skuadrës së tij.

Gjërat po shkonin mirë për Milanin, derisa ish-lojtari i tyre, Antonio Nocerino (24’), përfitoi nga një tollovi në zonë dhe shënoi nga afërsia për ta barazuar rezultatit në 1-1.

Deri në fund të pjesës së parë rezultati nuk ndryshoi, edhe pse Alex dhe Destro patën raste të mira shënimi.

Pjesa e dytë i takoi krejtësisht Milanit, të cilët e gjetën golin edhe dy herë tjera.

Alessio Cerci asistoi bukur te Menez(57’) i cili shënoi edhe më bukur për t’i dhënë epërsinë skuadrës së tij, ndërsa 20 minuta më vonë Menez asistoi te Zaccardo i cili shënoi golin e tretë për Rossonerët.

Gjërat nuk ndryshuan deri në fund, gjersa Milani rrëmbeu tre pikë të rëndësishme për t’u ngritur në pozitën e tetë me 29 pikë, që është 10 pikë larg pozitës së tretë që dërgon në Ligën e Kampionëve.