Botë

Vatikan, përcillet në banesën e fundit Benedikti XVI

05.01.2023 10:36

Mijëra persona u mblodhën mëngjesin e së enjtes në Sheshin Shën Pjetri të Vatikanit për varrimin e Papës Emeritus Benedikti XVI...

Mijëra persona u mblodhën mëngjesin e së enjtes në Sheshin Shën Pjetri të Vatikanit për varrimin e Papës Emeritus Benedikti XVI, dhe për të nderuar teologun gjerman, i cili bëri histori duke u tërhequr nga drejtimi i Kishës Katolike.
 
Papa Françesku pritet të udhëheqë ceremoninë mortore, në të cilën do të marrin pjesë krerë të shteteve dhe përfaqësues të mbretërive, pavarësisht se Benedikti kishte kërkuar që varrimi i tij të mos ishte një ngjarje e madhe. Afër 200.000 persona bënë nderime para arkivolit të Benediktit gjatë tre ditëve të kaluara më Bazilikën e Shën Pjetrit. 
 
Ish-kreu i Kishës Katolike, emri i vërtetë i së cilit ishte Joseph Ratzinger, vdiq më 31 dhjetor në moshën 95-vjeçare. Ai konsiderohej si një prej teologëve më të mirë të shekullit të 20-të dhe kaloi jetën e tij duke iu përmbajtur doktrinës së Kishës.
 
Benedikti u zgjodh papë më 2005 në moshën 78-vjeçare dhe u bë papa më i vjetër që u zgjodh në krye të Vatikanit. Ai udhëhoqi Kishën për pothuajse tetë vjet dhe më 2013 dha dorëheqje veprim që e futi atë në histori si papa i parë në gjashtë shekuj që u tërhoq nga drejtimi i Kishës Katolike që nga viti 1415, kur nga drejtimi i Kishës ishte tërhequr Gregori XII. 
 
Trashëgimia e Papa Benediktit u dëmtua nga skandalet për abuzim seksual nga priftërinjtë. Benedikti miratoi legjislacione që rezultuan në shkarkimin e 848 priftërinjve nga viti 2004 deri më 2014. Megjithatë, të mbijetuarit e abuzimeve e mbajtën atë përgjegjës për skandalin dhe e akuzuan atë se kishte dështuar që të sanksiononte peshkopët.