Botë
BE me rekomandim: Test negativ Covid për pasagjerët nga Kina
05.01.2023 11:38
Ushtria e Koresë së Jugut konfirmoi se një dron i Koresë së Veriut ka hyrë në zonën e ndalim-fluturimit...

Zyrtarët e qeverive të Bashkimit Evropian, njësoj si Komisioni evropian më herët, rekomanduan që pasagjerëve që udhëtojnë nga Kina për në BE duhet të kenë test negativ për Covid , para se të nisen për në Evropë. Grupi i BE-së po ashtu rekomandoi që të gjithë pasagjerët në fluturimet për dhe nga Kina, duhet të mbajnë maska.
“Ajo që kemi mësuar nga valët e tjera të pandemisë është se po nuk morëm masa, Covidi do të vijë edhe te ne herët a vonë, veçanërisht nga vendet afër nesh apo me të cilat kemi shumë shkëmbime.”, - tha epidemiologu, Manuel Franco.
"Gjëja më e rëndësishme është testi i antigjenit në mbërritje, i cili padyshim nuk është i pagabueshëm, por do të zvogëlojë infektimet. Është gjithashtu i rëndësishëm identifikimi dhe sekuenca e viruseve që vijnë nga Kina.", - theksoi specialisti i mikrobiologjisë dhe mjekësisë parandaluese, Antonio Sierra.
Qeveritë e BE-së mund të aplikojnë testime rastësore të pacientëve që arrijnë nga Kina.
“Kanë qenë kontrolle të thjeshta, një PCR dhe asgjë tjetër. Nuk kanë kërkuar pasaportë për COVID, vetëm PCR 72 - orësh dhe kaq.", - tha një pasagjer nga Kina.
"Më matën temperaturën dhe jam mirë, gjithçka është në rregull. Kontrollet janë pak të mundimshme, por është mirë, është më e sigurt për të gjithë.", - tha një pasagjer tjetër nga Kina.
Ky rekomandim vjen në kohën kur Pekini përgatitet të lehtësojë masat e udhëtimit më 8 janar, pavarësisht se shteti po përballet me një valë të re të infektimeve që ka ngarkuar spitalet dhe morgjet. Kina ka paralajmëruar për “kundërmasa” nëse një politikë e tillë do të vendoset në mbarë bllokun evropian.
Rastet me virusin korona fillimisht u regjistruan në fund të vitit 2019 në Kinë. Që atëherë, ky virus ka vrarë mbi 6.7 milionë persona në mbarë botën. (Vlora Latifi - Topojani, TVM2)
