Botë
Vatikan, përcillet në banesën e fundit Benedikti XVI
05.01.2023 14:09
Mijëra persona u mblodhën në Vatikan për varrimin e Papës Emeritus, Benedikti XVI...

Në ceremoni morën pjesë krerë të shteteve dhe përfaqësues të mbretërive, pavarësisht se Benedikti kishte kërkuar që varrimi i tij të mos ishte një ngjarje e madhe. Ceremonia u drejtua nga Papa Françesku, rasti i parë në kohët moderne që një papë kryeson funeralin e paraardhësit të tij.
“Me dëshmitë për veprat që shënuan jetën e tij, si komunitet katolik dëshirojmë t’ia besojmë trupin Atit tonë, që me madhështinë e tij të mbajë ndezur llambën e shpirtit të vëllait tonë në përjetësi.” , - tha Papa Françesku.
Joseph Ratzinger, vdiq më 31 dhjetor në moshën 95-vjeçare. Ai ishte papa më i vjetër kur u zgjodh në 2005-n, në moshën 78-vjeçare . Udhëhoqi Kishën për pothuajse tetë vjet dhe më 2013 dha dorëheqje, veprim që e futi në histori si papa i parë në gjashtë shekuj që u tërhoq nga drejtimi i Kishës Katolike, që nga viti 1415, kur këtë e bëri Gregori XII.
Papati I Benediktit u dëmtua nga skandalet për abuzim seksual nga priftërinjtë. Ai miratoi legjislacione që rezultuan në shkarkimin e 848 priftërinjve nga viti 2004 deri më 2014. Por, të mbijetuarit e abuzimeve e akuzuan se kishte dështuar të sanksiononte peshkopët.
FITORE DEMOLLI
