Maqedoni

Ajri i ndotur përplas LSDM-në dhe VMRO-DPMNE-në

05.01.2023 15:03

Edhe pse ajri i ndotur në Shkup vazhdon të jetë çështje alarmante e cila drejtpërdrejt ndikon në shëndetin e qytetarëve...

Edhe pse ajri i ndotur në Shkup vazhdon të jetë çështje alarmante e cila drejtpërdrejt ndikon në shëndetin e qytetarëve, pushteti lokal i VMRO-DPMNE-së po redukton fonde për mbrojtjen e mjedisit për 44%, akuzojnë social-demokratët.
 
Ljubica Jançeva, koordinatore e grupit këshillues të LSDM-së dhe koalicionit në Këshillin e Qytetit të Shkupit bënë të ditur se në vitin 2022 në buxhet ishin paraparë 88 milionë denarë, ndërsa për këtë vit shuma pothuajse është përgjysmuar, në vetëm 49 milionë denarë.
 
“Ky reduktim i mjeteve është goditje e rëndë për kapacitetet që luftojnë kundër kërcënimeve mjedisore dhe me këtë qasje të VMRO-DPMNE-së dhe Arsovskës, Shkupi edhe për një kohë të gjatë do të jetë në krye të qyteteve më të ndotura në botë. Ka kaluar një vit i tërë që kur pushteti lokal është në duart e VMRO-DPMNE-së dhe koalicionit të tyre, së bashku me Levicën dhe kryetaren e tyre Arsovska. Në plotëkuptimin e fjalës u shpenzua një vit për zënka për tenderë dhe komisione dhe pushteti lokal i VMRO-DPMNE-së dhe koalicioni nuk bënë asgjë për ajrin e ndotur.”, - theksoi koordinatorja e grupit këshillues të LSDM-së, Ljubica Jançeva.
 
Le t'u thotë dikush atyre të LSDM-së se Kovaçevski është në koalicion me Arsovskën dhe Levicën, ndërsa përgjegjës për ajrin e ndotur është qeveria, thuhet në reagimin e VMRO – DPMNE-së ndaj deklaratës së Lubica Jançevës. 
 
“Sa i përket investimeve për uljen e ndotjes, Arsovska dhe Kovaçevski janë në një garë të ngushtë se kush mund të bëjë më pak dhe në fund të dy nuk bëjnë asgjë. SDS ka 7 vite që është pushteti qendror. Dhe prej 7 vitesh nuk ka pasur asnjë projekt të vetëm të rëndësishëm për uljen e ndotjes së ajrit. Në takimet e fshehta të Kovaçevskit dhe Arsovskës, në vend që të negociojnë tenderë dhe fitime, le të merren vesh për masat për ajër më të pastër.”, reagojn nga VMRO-DPMNE. 
 
Derisa shkupjanët thithin  ajrin më të ndotur në botë, partitë zihen se kush e ka fajin, edhe pse në të kaluarën në nivel qendror dhe lokal pushtetet kanë ndryshuar, herë  VMRO-DPMNE e herë LSDM, askush nuk ka ndërmarrë masa serioze dhe konkrete për uljen e ndotjes e cila është e pranishme shumë vite resht. (Sanije Duraku, TVM2)