Maqedoni

Ndotja e ajrit, Shkupi në vendin e parë në Evropë, i 12 në botë

05.01.2023 15:39

Shkupi përsëri u gjend në mesin e kryeqyteteve më të ndotura në botë...

Shkupi përsëri u gjend në mesin e kryeqyteteve më të ndotura në botë, kurse morri primatin edhe të kryeqytetit më të ndotur në Evropë. Në bazë të indeksit të cilësisë së ajrit, Shkupi kishte indeksin e cilësisë së ajrit 165, që sipas parametrave të këtij indeksi të gjitha nivelet mbi 100 llogariten si ekstremisht të larta.
 
Në ajër më të pranishme janë grimcat PM2.5, të cilat llogariten si të rrezikshme dhe kancerogjene. Ata janë të pranishme edhe pse Shkupi që nga pasditja e djeshme nuk është përfshirë nga mjegulla, por është me re të ulëta të mjegullta të mbushura me smog. Ekspertët sqarojnë se edhe mjegullat që ishin të pranishme këtyre ditëve janë ngushtë të lidhura me ajrin e ndotur. 
 
“Paraqitja e mjegullës është e ndërlidhur me grimcat e ndotjes së ajrit. Në këtë rast, mjegull kishte në të gjithë vendin, e cila është e lidhur edhe me ndotjen e ajrit, kurse nga ana tjetër ndotja e ajrit ndikon që të mban mjegullën. Nuk kemi lëvizje të ndryshme të masave ajrore që të mund të kemi heqje të mjegullës. Burimet e ndotjes që ekzistojnë në Shkup dhe territoret tjera ndikojnë në dendësinë e mjegullës.”, - u shpreh një klimatolog.  
 
MMJPH: Tejkalohet pragu i alarmit në Manastir
 
Ajri më i ndotur se sa në Shkup është në Strumicë, Kërçovë dhe Tetovë. Është tejkaluar ndërkohë pragu i alarmit në pikën matëse në Manastir. Nga MMJPH  është dorëzuar informacioni për tejkalimin e pragut të alarmit në Ministrinë e Shëndetësisë, Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale, Inspektoratin Shtetëror për Mjedisin, Drejtorinë e Mjedisit, Sektorin e Komunikimit me Publikun në MMJP, Institutin e Shëndetit Publik në komunën e Manastirit. 
 
Sipas të dhënave të Sistemit Shtetëror të Monitorimit të cilësisë së ajrit, përqendrimet mesatare ditore të grimcave të pezulluara PM10 janë nën kufirin e përcaktuar të alarmit prej 150 mg/m3 dhe episodi i dy ditëve radhazi është ndërprerë edhe në Kërçovë dhe Gostivar, ku pushojnë së zbatuari rekomandimet dhe masat për tejkalimin e pragut të alarmit.
 
ERSAN PAJAZITI