Maqedoni
ShGM reagon ndaj vendimit të MPJ-së, promovimi me para publike, e paligjshme
05.01.2023 15:57
Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë ka reaguar ndaj procedurës së Ministrisë së Punëve të Jashtme...

Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë ka reaguar ndaj procedurës së Ministrisë së Punëve të Jashtme, e cila përmes prokurimeve publike paraprake, investon mjetet e qytetarëve për fushata në media private për promovimin e kryesimit me OSBE-në.
“Sipas informacioneve publike, Ministria e Punëve të Jashtme do të shpenzojë rreth 100.000 euro për aktivitete promovuese lidhur me kryesimin e Maqedonisë me OSBE-në, për të cilat është bërë marrëveshje me një kompani private të marketingut. Kujtojmë se kjo procedurë nga ana e Ministrisë së Jashtme drejtpërdrejt është kundër vendimit të mëparshëm të Qeverisë më datë 22 gusht 2017, me të cilin praktikisht vendoset moratorium për reklamat qeveritare në mediat private.”, thonë në ShGM, teksa alarmojnë se praktika e pagesës së fushatave qeveritare në media me paratë e qytetarëve, përveç se është e paligjshme dhe në kundërshtim me vendimet e mëparshme të Qeverisë, e njëjta mund të nxisë edhe institucionet e tjera publike ta zbatojnë atë, gjë që do të dëmtonte në mënyrë shtesë tregun e brishtë mediatik.
Reagimi i ShGM-së: MPJ heq dorë nga fushata me web banera
Nga MPJ thonë se angazhimi i Agjencisë paraqet punë të rregullt për çdo kryesues me organizatën dhe aktivitetet të cilat janë paraparë nuk janë për pi-ar, por qasje e organizuar ndaj sfidave për komunikim strategjik të vendit si vend-kryesues me Organizatën më të madhe rajonale të sigurisë.
“Krahas komunikimit strategjik, angazhimi i Agjencisë në pjesën më të madhe i referohet mbështetjes së Këshillit të Ministrave, një projekt kompleks i cili parasheh praninë dhe aktivitetet e organizuara të mbi 70 delegacioneve nga e gjithë bota, të cilat pritet të drejtohen në nivel më të lartë diplomatik, në nivel të Ministrave të Punëve të Jashtme”, thonë nga MPJ.
Sipas tyre, edhe pse vendosja e banerave promovues nuk bie ndesh me praktikat aktive ligjore dhe nenin 102 të Ligjit të AShAA-së , pas sugjerimit nga ShGM, MPJ do të ndërpresë fushatën e planifikuar njëjavore përmes përdorimit të ueb-banerave në internet.
NAIM RAMADANI
