Ivanovska për Zërin e Amerikës: Korrupsioni në shtet, u kthye në mënyrë jetese, prokuroria mos ta neglizhojë anti-korrupsionin

05.01.2023 16:59

Biznesi për prodhimin e energjisë solare....

Biznesi për prodhimin e energjisë solare, mëditje të larta dhe paga në sektorin e shëndetësisë si dhe furnizimi me libra në shkollat fillore nën hetim të komisionit anti-korrupsion.

Kryetarja e komisionit Biljana Ivanovska në një intervistë për Zërin e Amerikës thotë se janë në fazën e grumbullimit të dokumenteve për bizneset e prodhimit të rrymës, në shëndetësi kanë pësuar edhe dorëheqje thotë ajo, ndërkaq për shkollat kanë adresuar vërejtje deri tek ministria e arsimit, por pa reagime konkrete.

“Për fat të keq korrupsioni në vendin tonë u kthye në mënyrë jetese dhe as që mund ta njohim. Madje u bë fenomen normal. Fakt është se në shtetin tonë ka ndikime të shumta, të cilat vështirë dëshmohen. Megjithatë, ne jemi për të ndërtuar një sistem i cili do të jetë rezistent ndaj korrupsionit, i cili vetvetiu do të eliminojë ata të cilët nuk përmbushin kushtet për të marrë para shtetërore.”, - deklaroi kryetarja e komisionit anti-korrupsion, Biljana Ivanovska.

Ivanovska ankohet se revizioni i brendshëm në institucione nuk kryen detyrën për të identifikuar dobësitë në procese të caktuara.

 “Revizioni i brendshëm është tejet i rëndësishëm, por nuk luan rolin që ka dhe të drejtojë gishtin kah dobësitë që ekzistojnë në institucione të caktuara. Madje ka situata ku person drejtues nuk dëshiron të nënshkruajë planin për revizion të brendshëm.”, - theksoi kryetarja e komisionit anti-korrupsion, Biljana Ivanovska.

Ivanovska konsideron se korrupsioni do të ulej vetëm nëse sistemi i drejtësisë do të funksiononte mirë, gjykatësit të ishin lojal ndaj profesionit dhe jo politikës dhe të vjen në shprehje ndëshkueshmëria. Prokuroria, sipas saj s’duhet të jetë neglizhente ndaj anti-korrupsionit.

“Me të vërtetë deri më tani  nuk doli asnjë vendim i prokurorisë për të procesuar një lëndë tonën. Pika e vetme shpresëdhënëse është se së fundmi atje caktuan person për kontakt, i cili kërkoi gjitha lëndët e ngritura deri tek prokuroria që ata të shohin se deri ku është veprimi i tyre. Shpresoj se kjo do të nis të funksionoj.”, - u shpreh kryetarja e komisionit anti-korrupsion, Biljana Ivanovska.

Qëlllimi kryesor i komisionit anti-korrupsion mbetet miratimi i ligjit për origjinën e pasurisë. Ky është një ligj kyç për uljen e korrupsionit, por edhe përkundër kontributit që japin në përpilimin e ligjit, presin nga qeveria ta propozojë ligjin. (Meral Ismaili, TVM2)