Zgjedhje të parakohshme parlamentare, VMRO: Vetëm Kovaçevski dhe Zeçeviq janë kundër

05.01.2023 17:59

Ndryshime kushtetuese apo zgjedhje të parakohshme....

Ndryshime kushtetuese apo zgjedhje të parakohshme parlamentare?! Kjo është dilema politike që mbahet aktuale në diskursin politik nga dy partitë kryesore në bllokun maqedonas LSDM dhe VMRO-DPMNE.

Opozita maqedonase e kryesuar nga VMRO-DPMNE thotë se zgjedhjet janë të pashmangshme dhe se veç opozitës po shtohen zërat edhe në rradhët e pushtetit për zgjedhje. 

“Gjithnjë e më shumë deputetë të LSDM-së dhe pushtetit janë për zgjedhje të parakohshme. Kovaçevski mos e mbaj gjithë shtetin peng për dy karriera. Vetëm Kovaçevski dhe Zeçeviq janë kundër, pasi e dinë se do të humbin dhe se më pas edhe karrierat e tyre do të marrin fund.”, – thuhet në kumtesën e VMRO-DPMNE-së.

LSDM: Mickovski rënkon për hallin e vet

Mirëpo LSDM konsideron se është vetë Mickovski ai që frikohet për pozitën në krye të VMRO-DPMNE-së prandaj rënkon për zgjedhje të parakohshme.

Sipas partisë së Kovaçevskit, Mickoski edhe këtë vit vazhdon me avazin e një viti më parë, duke mos pasur qëndrim për asnjë çështje me rëndësi strategjike për shtetin dhe qytetarët.

“Rënkimet publike të Mickovskit të shqetësuar vetëm për kolltukun e tij, nuk do të pengojnë reformat dhe as avansimin e vendit. LSDM vazhdon me kursin e reformave, me politika ekonomike për rritjen e pagave dhe pensioneve si dhe hapërimin për anëtarësim të plotfuqishëm në BE.”-  thuhet në reagimin e LSDM-së.

Sipas partisë së Kovaçevskit, zgjedhjet e radhës do të mbahen në vitin 2024 kur, sipas tyre, Mickovski do të pësojë dështimin e shtatë dhe të tetë zgjedhor si kryetar i VMRO DPMNE-së. (Shpëtim Nuredini, TVM2)