Maqedoni

Për 1 javë rriten për 96 % rastet me virus sezonal IShP - antibiotik përshkruan vetëm mjeku amë

06.01.2023 11:48

Nga 26 Dhjetori 2022 deri më 01 Janar 2023, për 96% është rritur numri I të prekurve nga gripi në krahasim me javën paraprake...

Nga 26 Dhjetori 2022 deri më 01 Janar 2023, për 96% është rritur numri i të prekurve nga gripi në krahasim me javën paraprake, thuhet në raportin e Institutit për Shëndet Publik. Gjatë këtij sezoni të gripit, janë regjistruar dy viktima që i takojnë grupmoshës 15 – 64 vjeç, nga Shkupi dhe Shtipi.
 
Pacientët, kanë qenë me sëmundje shoqëruese dhe të pa vaksinuar kundër gripit sezonal. Përhapja e shpejtë e gripit ka të bëjë me ndryshimet e temperaturave dhe grumbullimin e njerëzve për festa thonë nga IShP. 
 
Edhe përkundër simptomatologjisë së vështirë si temperatur e lartë, plogështi, sekrecion, pacientët nuk duhet të marrin antibiotik pa ua përshkruar mjeku, sepse viruset nuk trajtohen me antibiotik. Vetëm mjeku amë mund të përshkruajë terapinë, nëse sheh të arsyeshme.  
 
“Antibiotiku nuk e mjekon virusin, por bakteriet. Por, mirë është që të detektohet të kontrollohet nga mjeku amë, nëse ka nevojë për trajtim në spital, por mbi të gjitha marrja e antibiotikut nuk është e preferuar, sepse krijohet rezistencë dhe kur do të ketë nevojë pacienti nuk mund të ndikojë antibiotiku.”, - deklaroi drejtori i institutit të shëndetit publik, Shaban Memeti.
 
Në shumë vende të Evropës është detektuar gripi i  shpendëve, por Instituti i shëndetit publik nuk ka detektuar asnjë rast pozitiv deri më tani. Megjithatë, Memeti potencon se nuk përjashtohet mundësia që i njëjti të shpërndahet edhe tek ne. 
 
“Shpërndarja e viruseve gjithandej nuk ka kufi. Edhe në vendin tonë kemi pas grip të shpendëve të derrit, Covid. Çdo epidemi në rajon të caktuar përhapet në nivel global është e pakontestueshme.”, - theksoi drejtori i institutit të shëndetit publik,  Shaban Memeti.
 
Nga IShP thonë se vaksinimi është mbrojta më e mirë kundër gripit. Deri më tani janë vaksinuar gjithsej 57 mijë e 375 persona me vaksina komerciale dhe 54.777 persona të grupeve të rrezikuara të popullatës me vaksina falas. 
 
FLUTURA LATIFI