Botë

Greqia në alarm, rriten rastet me Covid dhe grip

06.01.2023 14:14

Në Greqi është rikthyer frika nga Covidi në këtë periudhë kur janë shtuar ndjeshëm...

Në Greqi është rikthyer frika nga Covidi në këtë periudhë kur janë shtuar ndjeshëm edhe rastet me grip sezonal, e ngjashmëria mes dy sëmundjeve e bën të vështirë për njerëzit të identifikojnë në kohë se nga cili virus po u shkaktohen simptomat.
 
Teksa në javën e fundit të 2022, në vendin fqinj janë regjistruar 141 vdekje nga Covid-19 dhe 3 vdekje nga gripi, në ditët e para të këtij viti rritje shënojnë edhe rastet me grip dhe infeksione të tjera respiratore, sidomos tek fëmijët dhe të moshuarit. Shumë spitale në Athinë, Selanik apo në qytetet e vogla të vendit, përballojnë tashmë çdo ditë, përveç virusit Korona, edhe infektimet nga gripi apo virozat e stinës, ndërsa sa i përket virusit respirator sinsincial, numri i rasteve tregon një rënie të lehtë.
 
Gjendja është rënduar edhe për shkak të mungesës së barnave, sidomos të shurupeve antipiretike, të kollës, ilaçeve që kanë të bëjnë kryesisht me fëmijët, si antibiotikët, ato kundër dhimbjeve dhe temperaturës etj, ndërsa Ministria e Shëndetësisë ka premtuar se situata do të normalizohet në javën në vijim. Specialistët janë të dyzuar sa i përket hapjes së shkollave të hënën që vjen, si faktor që mund të shtojë numrin e fëmijëve që do preken nga viruset e ndryshme.
 
Ata po ndjekin me vëmendje përhapjen e nënvariantit të ri të virusit Korona në ShBA si dhe ecurinë e virusit Korona në Kinë, ndërkohë që Greqia miratoi masat e propozuara nga BE për udhëtarët nga vendi aziatik në kontekstin e shqetësimit ndërkombëtar për shpërthimin e rasteve atje.
 
VLORA LATIFI TOPOJANI