Maqedoni
Ndotja e ajrit, Shkupi kryeqendra e 8-të më e ndotur në botë
06.01.2023 14:50
Shkupi vazhdon të gjendet në krye të listave të kryeqyteteve më të ndotura në botë...

Sipas faqes “IQ Air”, që mat ndotjen e ajrit në botë, Shkupi me indeksin 184 është kryeqyteti i tetë më i ndotur në botë, ndërsa para tij janë disa qytete nga India, Pakistani, Kina dhe Mongolia. Ashtu si ditët e kaluara, më të përhapura në ajër janë grimcat helmuese PM2.5 të cilat janë matur në nivel prej 106 mg/m3, ndërsa ka edhe sasi të madhe të grimcave PM10, apo 167.2 mg/m3.
Ndërkohë, nga MMJPH informojnë se prej sot në Manastir dhe Strumicë nuk vlejnë më rekomandimet dhe masat për tejkalimin e pragut të alarmit, pasi dy ditët e fundit këto qytete nuk kaluan pragun e nivelit të lartë të ndotjes.
“Sipas të dhënave të Sistemit Shtetëror të Monitorimit të Cilësisë së Ajrit të Ambientit më 05.01.2023, përqendrimet mesatare ditore të grimcave të pezulluara PM10 janë nën pragun e përcaktuar të alarmimit prej 150 mg/m3, episodi i dy ditëve radhazi është ndërprerë në Manastir dhe Strumicë dhe pushojnë së zbatuari rekomandimet dhe masat për tejkalimin e pragut të alarmimit.”,- u tha nga MMJPH.
Institucionet vazhdojnë të bëjnë thirrje qytetarëve që mos të dalin jashtë pa nevojë, kurse gjatë qëndrimit jashtë të vendosin maska mbrojtëse me efikasitet të provuar. (Ersan Pajaziti, TVM2)
