Maqedoni
Besimtarët krishterë ortodoks festojnë Buzmin
06.01.2023 15:08
Besimtarët krishterë ortodoks festojnë Buzmin, një ditë para festës së madhe të Lindjes së Krishtit – Krishtlindjet...

Besimtarët krishterë ortodoks festojnë Buzmin, një ditë para festës së madhe të Lindjes së Krishtit – Krishtlindjet. Besimtarët ortodoks në vend i shënojnë këto festa me vëmendje dhe përkushtim, ndërkaq si zakonisht, janë fëmijët ata që iu gëzohen më shumë festave.
“Kënga për Krishtlindjen paralajmëron lindjen e Jezu Krishtit.”,- tha një fëmijë.
“Kemi mbledhur shumë bontonë, molla, gështenja e para.”,- theksoi një fëmijë.
“Jam zgjuar në orën 5. Kemi qenë në 4-5 ndërtesa.”,- u shpreh një fëmijë.
Buzmi tradicionalisht shënohet me tubim para Katedrales “Shën Klimenti i Ohrit” në Shkup.
“T’i duam dhe nderojmë kishën, vendlindjen, historinë, kulturën, gjuhën, trashëgiminë tonë kulturore, gjithçka tonën të shenjtë.”,- tha kreu i Kishës Ortodokse, Stefan Veljanovski.
Në ditën e buzmit nuk munguan urimet dhe bekimet nga qytetarët e vendit.
“Shëndet dhe lumturi në shpirtra.”,- u shpreh një qytetar.
“Dega e Buzmit është paqe në shtëpi, fuqi dhe jetë për të gjithë në shtëpi.”,- theksoi një qytetare.
“Nuk ka lumturi më të madhe dhe mënyrë më madhështore kur paralajmërojnë lindjen e Krishtit me këngën e fëmijëve, yjet, gëzimin e fëmijëve në sytë e tyre dhe bekimin që mbajnë duke kënduar këngën për perëndinë e përjetshme.”,- u shpreh një qytetare.
Në natën e Buzmit, familja mblidhet në darkë të përbashkët agjërimi dhe sipas zakonit, këtë mbrëmje nuk ka mysafirë. Në këtë festë, disa fëmijë janë mirëpritur nga kryeministri, Dimitar Kovaçevski, i cili gjatë ndarjes së dhuratave për më të vegjlit, ka uruar me dëshirën që ky vit të jetë më i suksesshëm dhe bashkërisht ta çojmë vendin përpara. Përveç kryeministrit, urime për festën kanë përcjellë edhe presidenti Stevo Pendarovski, kryeparlamentari Talat Xhaferi dhe liderët e partive politike.
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU
