Luftime të reja në Donjeck, 19 të vdekur

02.02.2015 12:50

Në luftimet e reja të ashpra në Ukrainën Lindore, sipas të dhënave të qeverisë dhe të kryengritësve, janë vrarë të paktën 19 vetë...

Kryesisht luftime janë zhvilluar pranë një pike kyçe transporti në afërsi të Donjeckut.

Brenda 24 orëve janë vrarë 13 ushtarë dhe janë plagosur 20 të tjerë, deklaroi një zëdhënës ushtarak ukrainas. Veç kësaj janë vrarë tre civilë dhe u plagos rëndë një i katërt, kur shtëpitë e tyre në rajonin e Luhanskut u ndodhën nën goditjen e zjarrit.

Kështu deklaroi guvernatori lokal, Gennadi Moskal. Sipas të dhënave të guvernatorit besnik të Kievit, veç kësaj në veri të Luhanskut, në qytetin Shastja, ku kanë shpërthyer luftime të rënda, u vranë nga raketat dy ushtarë ukrainas.

Një zëdhënës i separatistëve pro-rusë theksoi se brenda 24 orëve u vranë tre civilë në rajonin e së vetëshpallurës "Republikë Popullore e Donjeckut". 19 të tjerë u plagosën. Në qytetin Makijivka, që kontrollohet nga kryengritësit në kufi me Donjeckun, tri godina u goditën nga predhat e mortajave.