Shqipëri, festa e Ujit të Bekuar
6 janari - që simbolizon Ditën e Ujit të Bekuar....

6 janari - që simbolizon Ditën e Ujit të Bekuar, u kremtua nga besimtarët ortodoks në zonën jugore të Shqipërisë. Është dita kur ata përkujtojnë pagëzimin e Jezu Krishtit në ujërat e lumit Jordan, duke e përcjellë ritin vit pas viti me hedhjen e kryqit në lumë.
Në Berat, ceremonia fetare nisi në Kishën e Shën Dhimitrit, e mandej nën drejtimin e At Johan Qako, me kryqin në dorë besimtarët u drejtuan për në lumin Osum. 7 të rinj u hodhën në ujin e ftohtë, ku triumfoi 22-vjeçari, Vasil Tapija, nga lagjja “Gorice”.
Riti i ujit të bekuar u mbajt dhe në portin detar të Durrësit. Kryqin e kapi 16-vjeçari, Vasil Aleksi, i cili i emocionuar tha se ia dedikoj xhaxhait të ndjerë.
Besimtarët e Fierit pas meshës në kishën e Shën Gjergjit ndoqën ritualin e ujit të bekuar në shatërvanin e sheshit “Evropa”.
Në Sarandë, ceremonia nisi me meshën në Kishën e Shën Harallambit dhe më pas besimtarët iu drejtuan bregdetit jonian, pranë shëtitores.
Rituali në Gjirokastër u krye në ujërat e lumit Drino, ku vetëm i riu, Enea Kondo, sfidoi të ftohtin për të kapur kryqin. (Luljeta Ndoka, TVM2)
