Ukrainë, forcat ruse nuk respektojnë armëpushimin

06.01.2023 19:32

Vetëm disa orë para hyrjes në fuqi të një armëpushimi....

Vetëm disa orë para hyrjes në fuqi të një armëpushimi të përkohshëm të njëanshëm i shpallur nga presidenti rus Vladimir Putin, forcat ruse vazhduan sulme të reja në qytetet ukrainase.

Predhat ruse goditën qytetin Kramatorsk në rajonin lindor të Ukrainës, Donetsk, njoftojnë autoritetet e Ukrainës.

“Trupat ruse “goditën qytetin me raketa dy herë”. Qyteti i Kramatorskut është “nën zjarr” dhe kërkojmë nga banorët të qëndrojnë në strehimore. Rreth 14 shtëpi janë dëmtuar pasi raketat goditën ndërtesën e banimit, por fatmirësisht nuk ka viktima.”, - u shpreh Kyrylo Tymoshenko nga zyra e presidentit të Ukrainës.                                                                                                                                                                                                                                                         Nga ana tjetër Ministria ruse e Mbrojtjes thotë se do t'i përmbahet armëpushimit, por akuzon ushtrinë ukrainase se ka vazhduar të bombardojë vendbanimet dhe pozicionet e trupave ruse.                                                                                                                                 

“Pavarësisht respektimit të armëpushimit nga grupimi rus i trupave nga ora 12:00 me orën e Moskës, më 6 janar, regjimi i Kievit vazhdoi granatimet me artileri të zonave të banuara dhe pozicioneve të trupave ruse.”, - deklaroi zëdhënësi i ministrisë së mbrojtjes ruse,  Igor Konashenko.                                                          

“Armëpushimi nuk do të thotë se ushtria ruse nuk do t'i përgjigjej provokimeve të armikut dhe nuk do t'i jepte palës ukrainase mundësinë për të përmirësuar pozicionet e saj. Ne nuk do të ndalemi, nëse ata na sulmojnë.”, - theksoi  kryetari i instaluar nga Rusia në Donjeck,  Denis Pushilin.                                          

Fshatarët në rajonin e Kharkiv vazhdojnë të jetojnë pa energji elektrike për 9 muaj. Trupat ruse hynë në fshatin Mospanove dhe shkatërruan gjithçka.                  

"Ndoshta 10 muaj jemi pa energji elektrike. Bateria, qirinjtë, diçka tjetër - kështu jetojmë. Në orën 6 shkojmë në shtrat.", - tha një banor i Mospanove,  Volodymyr Nemykin.                                                                                                                          

"Është e tmerrshme këtu, tavani u godit dhe gjithçka është kalbur. Divani ishte gjysmë i kalbur, e rregullova që të mund të ulem.", - u shpreh një banore në Mospanove, Mariia Kysliak.                                                                                                               

"Nuk ka energji elektrike, nuk ka internet, kështu që fëmijët nuk mund të studiojnë në internet. Sapo të shfaqet energjia elektrike, do të shfaqet interneti, që do të thotë se njerëzit do të vijnë këtu.", - u shpreh drejtuesi i Mospanove, Ivan Shaulskyi.                                                            

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy hodhi poshtë armëpushimin, duke thënë se Rusia "duhet të largohet nga territoret e pushtuara - vetëm atëherë do të ketë një "armëpushim të përkohshëm".

Presidenti i ShBA, Joe Biden e konsideroi propozimin e Putinit për armëpushim një mënyrë për të "thithur pak oksigjen”. (Farije Dauti Bakiu, TVM2)