Maqedoni

Të krishterët ortodoksë e festojnë Krishtlindjen

07.01.2023 12:02

Ortodoksët dhe kishat e tjera lindore festojnë Krishtlindjen më 7 janar, llogaritur kështu sipas kalendarit Julian. Pas Pashkëve është festa më e rëndësishme për të krishterët....

Të krishterët ortodoksë festojnë Krishtlindjet më 7 janar, teksa besimtarët janë mbledhur në Moskë, Betlehem, Jerusalem, Kajro dhe qytete tjera në botë, për të shënuar këtë ditë. Sipas kalendarit Gregorian, në shumicën e vendeve të Perëndimit, kjo festë shënohet më 25 dhjetor.
 
Kishat ortodokse, duke përfshirë ato në Rusi, Ukrainë, Gjeorgji, Serbi, Maqedoni dhe Jerusalem janë vetëm disa nga kisha që festojnë Krishtlindjet sipas kalendarit Julian më 7 janar. Kisha Ortodokse armene ka festuar Krishtlindjen më 6 janar. Kishat ortodokse në Rumani, Greqi dhe Bullgari, kanë shënuar këtë festë sipas kalendarit Gregorian më 25 dhjetor.
 
Duhet pasur parasysh se në vitin 1582 Papa Gregori XIII vendosi ta modifikonte kalendarin e vjetër, vepër e Jul Çezarit, që u quajt “julian” pikërisht për nder të Perandorit. Në të u shlyen ditët ndërmjet 5 e 14 tetorit 1582 e kështu 25 dhjetori ynë u bë 7 janar.
 
Data 7 janar nuk ka të bëjë me “skizmën”, siç besohet akoma nga disa, por thjesht me qellime kalendarike. Shumica e kishave ortodokse në mbarë botën nuk e adoptuan kalendarin gregorian, propozuar nga Papa Gregori në vitin 1582, por vijuan të përdorin Kalendarin Julian, krijuar nën Jul Çezarin. Sipas shpjegimit të Arkimandritit Christopher Calin, dekan i katedrales ortodokse ruse, edhe ortodoksët e kremtojnë Krishtlindjen më 25 dhjetor, por sipas kalendarit që përdorim bie më 7 janarin “tonë” (prandaj edhe Dëftimi i Krishtit për ta është Nata e Krishtlindjes).
 
Sipas traditës, Krishtlindja ortodokse paraprihet nga një periudhë agjërimi e lutjeje prej 40 ditësh. Nuk është agjërim i plotë: hahet peshk të mërkurën e të premten. Për Krishtlindje ofrohen qirinj e kokrra gruri në bulim. Natën e festës agjërimi është më i rreptë: hahen vetëm kokrra gruri e fruta.
 
Agjërimi përfundon zakonisht në Kishë, me meshën solemne të mesnatës, Sapo përfundon lutja, besimtarët këndojnë himnin e Krishtlindjes e, në qendër të Kishës, sillet ikona e festës: një qiri i madh, simbol i Kometës. Në këtë çast agjërimi merr fund e besimtarët marrin bukën e bekuar.