Botë

SHBA-Kevin McCarthy zgjidhet kryetar i Dhomës së Përfaqësuesve

07.01.2023 12:17

Saga në Dhomën e Përfaqësuesve të SHBA-së ka përfunduar...

Saga në Dhomën e Përfaqësuesve të SHBA-së ka përfunduar. Pas 15 raundesh votimi, republikani Kevin McCarthy më në fund është zgjedhur President i Dhomës së Ulët të Kongresit, në një proces që u karakterizua nga pasiguria e madhe, por edhe nga tensioni që disa herë ishte në prag të shndërrimit në një sherr edhe atë mes vetë republikanëve.

“Numri i përgjithshëm i votave është 428. Nga këto, Kevin McCarthy nga Kalifornia mori 216. Hakim Jefries i  Nju Jorkut mori 212. Kështu, McCarthi ka shumicën e votave dhe zgjidhet Krytetar  i Dhomës së Përfaqësuesve.”, tha Cheryl Johnson, kryesues i Dhomës së Përfaqësuesve.
 
“Ky është një moment që na kërkon të rikthejmë besimin në vendin tonë dhe besimin tek njëri tjetri. Në këtë frymë, unë do të punoj me këdo që ndan pasionin për të siguruar një të ardhme më të mirë për kombin tonë. Shpresoj se do të bashkoheni me mua. I dashur Jeffries, do të ketë raste kur ne do  pajtohemi apo kur do kemi mospajtime. Unë premtoj se debatet tona do të jenë pasionante, por asnjëherë  personale.”, tha Kevin McCarthy, kryetar i Dhomës së Përfaqësuesve.
 
Edhe pse republikanët kanë shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve, votimi u shndërrua në një maratonë. Për këtë kontribuoi  krahu rebel në parti, ku përfshihej Met Gec, i cili përfundimisht u detyrua të votonte për McKarthin, ndërsa pak duheshte që të sulmohet fizikisht nga kolegu i tij Majk Roxhers, i cili bërtiti dhe tregonte me gisht nga ai.
 
“Presidenti e quajti procesin të turpshëm. Shumë e kanë cilësuar si kaos dhe parregullsi, disa të tjerë si turp, por kjo është demokracia. Ky është simboli i shoqërisë sonë të lirë, ku çdo votë respektohet dhe numërohet. Ne e dimë se ndonjëherë mungon rendi, por debati i hapur dhe transparent është ajo që na ndan nga regjimet autoritare.”, tha Patrick McHenry, republikan.
 
“Jemi të detyruar të jemi këtu për shkak të kaosit dhe krizës në anën tjetër. Dua të theksoj se të njëjtët persona që ndezën pasionet më 6 janar, të cilët u thanë ndjekësve të tyre se duhet të luftojnë me pretendimin e rremë se zgjedhjet janë vjedhur, mund të udhëheqin Dhomën e Përfaqësuesve nëse arrijnë të bien dakord se kush do të jetë udhëheqës i tyre.”, tha Pete Aguilar, demokrat.
 
Presidenti amerikan Biden e uroi McCarthy, ndonëse ky i fundit njoftoi hetime dhe ftesa gjyqësore  për demokratët duke përfshirë edhe kreun e Shtëpisë së Bardhë.
 
FLUTURA LATIFI