Botë

SHBA-ja dhe BE-ja dënojnë plagosjen e dy personave në Shtërpcë

07.01.2023 13:41

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian dënojnë plagosjen e dy të rinjve serbë në Shtërpcë....

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian dënojnë plagosjen e dy të rinjve serbë në Shtërpcë. 
 
Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, tha se janë "mirënjohës që autoritetet vepruan shpejt dhe arrestuan të dyshuarin”. Edhe zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka dënuar plagosjen e dy të rinjve në këtë komunë dhe ka kërkuar që autoritetet që ta hetojnë rastin. 
 
Më 6 janar Policia e Kosovës njoftoi se dy persona, njëri rreth 11-vjeçar dhe tjetri rreth 21-vjeçar, janë plagosur me armë zjarri, në fshatin Drajkovc të komunës së Shtërpcës. Lidhur me rastin PK ka identifikuar e më pas kanë arrestuar të dyshuarin me inicialet A.K. i moshës 33-vjeçare. 
 
Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Armend Mehaj tha dje se “në rastin që ka ndodhur në Shtërpcë është përfshirë një pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës” dhe se me rastin janë duke u marrë organet e sigurisë dhe drejtësisë. 
 
Kryetari i Komunës së Shtërpcës, që është edhe nënkryetar i Listës Serbe, Dalibor Jevtiq, ka bërë thirrje për dalje në protestë pas plagosjes së dy të rinjve serbë në këtë komunë. Ai ka shkruar më 7 dhjetor në rrjetin social Facebook se protesta do të mbahet të dielën në ora 12:00, para Shtëpisë së Kulturës në Shtërpcë, komunë kjo e banuar me shumicë serbe. 
 
Ndaj incidentit në Shtërpcë kanë reaguar edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti. Osmani tha se “plagosja e të rinjve 11 dhe 21-vjeçar në Shtërpcë është akt i patolerueshëm” dhe se autori duhet të vihet para drejtësisë. Ndërsa Kurti tha se është "thellësisht i brengosur për plagosjen e tyre".
 
Edhe përfaqësues tjerë ndërkombëtar kanë dënuar incidentin në këtë komunë të banuar me shumicë serbe.