Maqedoni
Ndërprerja e mundshme e negociatave, Selmani: Unitet që mos humbasim kohë
07.01.2023 16:11
Maqedonia e Veriut ashtu si Mali i Zi mund të merr paralajmërim për ndërprerjen e mundshme të negociatave nëse nuk plotëson kërkesën thelbësore...

Maqedonia e Veriut ashtu si Mali i Zi mund të merr paralajmërim për ndërprerjen e mundshme të negociatave nëse nuk plotëson kërkesën thelbësore, miratimin e ndryshimeve kushtetutëse, deri në nëntor. Mali i Zi u paralajmërua për një rrezik të tillë në fund të dhjetorit për shkak të krizës politike dhe mosfunksionimit të disa institucioneve, posaçëshrisht për mosfunkionimin e gjykatës kushtetuese. Ndërkaq, Maqedonia e Veriut, konformë të ashtuquajturit, propozim francez, ka kusht ndryshimin e kushtetutës për të përfshirë në prembambulë edhe komunitetin bullgar.
Profesori universitar Bashkim Selmani thotë se subjektet politike duhet të tregohen të përgjegjshme për këtë çështje me rëndësi strategjike për vendin dhe të mos humbasin kohë.
“Çdo përpjekje tjetër, e cila nuk do t’u përmbahet rregullave të detyrueshme, siç janë ndryshimet kushtetuese do të thotë se Maqedonia mund të humb shumë kohë. Edhe ashtu ka humbur shumë kohë sepse nuk ka mësuar aspak nga historia se zgjidhja e problemeve apo kontesteve ndërkombëtare nuk është çështje e vogël por është çështje serioze dhe vetëm me bashkëpunim dhe tolerancë mund ta zgjidhim një çështje të këtillë.”, u shpreh profesori universitar Bashkim Selmani.
Selmani: Në ndryshimet, edhe termi shqiptar
Gjithsesi, futja e bullgarëve në kushtetutë pa përfshi shqiptarët dhe gjuhën shqipe si nocion, duket e pakuptimtë, thekson Selmani. Inkurajon subjektet politike që në ndryshimet e rradhës të bëjnë edhe këtë korrigjim në kushtetutë.
“Është e pakumtimtë në rast se do të pretendohet që bullgarët të jenë e kushtetutës ndërsa shqiptarët të mos jenë pjesë e saj. Megjithatë besoj se me një bashkëpunim dhe një tolerancë të përafërt do të zgjidhet kjo çështje.”, tha Selmani.
Rrezikun për ndërprerjen e mundshme të bisedimeve e paralajmëroi vetë shefi i diplomacisë, Bujar Osmani. Sipas tij, është koha që ndryshimet kushtetuese të futen në procedurë parlamentare, pasi ky proces kërkon rreth gjashtë muaj.
SHPËTIM NUREDINI
