Maqedoni
Politikanët uruan Krishtlindjen, bënë thirrje për kohezion dhe bashkim
07.01.2023 17:23
Me mesazhe shëndeti dhe lumturie, por edhe me thirrje për kohezion dhe bashkim...

Me mesazhe shëndeti dhe lumturie, por edhe me thirrje për kohezion dhe bashkim, politikanët uruan qytetarët për festën e madhe të Krishtlindjes – Lindjen e Krishtit. Kryeministri Kovaçevski, thotë se vetëm mendimet e mira dhe veprat e mira mund të na çojnë përpara.
“Ashtu siç na bashkon festa të gjithëve në shtëpinë e familjes, le të na bashkojë edhe në të gjitha sferat e tjera të jetës. Në frymën e festës së sotme, le të kujtojmë simbolikën e saj – të duam, respektojmë, falim, ndihmojmë dhe japim dorën për ata që kanë nevojë për ndihmë. Vetëm me mirësinë në zemrat tona dhe dëshirën për bashkim do të mund t'i kapërcejmë tundimet e ndryshme me të cilat po përballemi.”, shkruan në urim kryeministri Kovaçevski.
Lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, tha se vetëm me veprim të përbashkët mund të ndryshohet realiteti i vështirë që të mos jetojmë më në pasiguri.
“Këto janë ditët kur duhet të bashkohemi pavarësisht dallimeve tona politike, këto janë ditët kur duhet të dërgojmë një mesazh bashkimi, ne kemi nevojë për këtë, ne jemi një komb i vogël, një vend i vogël, vetëm të bashkuar dhe nëse respektojmë njëri-tjetrin do t'ia arrijmë qëllimit.”, tha lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski.
Qofshin të gëzuar qytetarët, qoftë ky vit më i mirë se i kaluari – ka uruar kryetarja e Shkupit, Danela Arsovska.
“Shpresoj se viti 2023 do të jetë vit në të cilin do të ndihmojmë njëri-tjetrin, do të jemi njerëzorë dhe solidarë, gjë që do ta bëjë vendin një vend më të mirë për të jetuar.”, tha kryetarja e Shkupit, Danela Arsovska.
Mesazhe kohezioni dhe bashkimi dërguan edhe politikanë dhe parti të tjera. Lideri i BDI-së Ali Ahmeti sërish bëri thirrje që dora e mëshirës, e ndihmës dhe e pajtimit të jetë gjithnjë e zgjatur.
NAIM RAMADANI
