Prej sot filloi përdorimi i kasave të reja fiskale me GPRS

02.02.2015 15:38

Filloi përdorimi i kasave fiskale me GPRS në vend...

Me datën 31 janar skadoi afati i parë i instalimit të këtyre kasave, të cilin mbi 9.000 mijë subjekte private e patën për detyrë ta kryejnë këtë obligim ligjor.

Për t’i dalë në ndihmë biznesmenëve, një pjesë e madhe e dyqaneve ku shiteshin kasat e reja me GPRS, këtë fundjavë kanë punuar pa ndërprerje. Disa subjekte realisht e kanë kryer këtë obligim, por për këtë çështje TVM2 pyeti përfaqësuesit e bizneseve.

“15 mijë denarë e kam blerë kasën fiskale me GPRS dhe prej sot kemi filluar të punojmë me këto kasa”- deklaroi një pronar i një i dyqani.

“Kemi paguar 12.500 denarë, por akoma se kemi marrë, shpresoj se brenda javës do t’i sjellin kasat e reja”- tha një tjetër pronar i një dyqani.

“Jo, unë nuk e kam siguruar kasën e re. Nuk e di, nuk i kam kushtet për atë, shumë kërkojnë”- theksoi një pronar i një dyqani.

Nga Drejtoria e të Ardhurave Publike informojnë se janë duke i përpiluar të dhënat e fundit, mirëpo jo zyrtarisht njoftojnë se rreth 8.900  kompani sa janë regjistruar vitin e kaluar me fitime prej mbi 10 milionë denarësh, vetëm rreth 4 mijë subjekte e kanë kryer këtë obligim. 5 mijë kompani  të tjera akoma nuk kanë kasa të reja fiskale me GPRS.

Nga Drejtoria e të Ardhurave Publike informojnë se për mosrespektimin e  ligjit dhe për mungesën e  kasave fiskale me GPRS në treg janë paraparë gjoba në vlerë prej 300 deri më 1.500 euro dhe mbyllje të përkohshme të bizneseve prej 1 deri në 3 vjet për ata të cilët nuk do t’i përmbushin kriteret.

Kasat fiskale me GPRS kushtojnë prej 10 mijë deri më 15 mijë denarë, varet nga cilësia dhe kompania e prodhimit. Përfaqësuesit e bizneseve,  ankohen se gjatë implementimit të këtij rregulli nuk u është dhënë mundësia  që t’i zëvendësojnë kasat e vjetra me të rejat, me ç’rast do të kursenin para për  obligimin e ri ligjor. Të gjitha bizneset në Maqedoni tanimë do të punojnë duke pasur në dyqanet e tyre nga dy kasa fiskale të vjetra dhe këto të rejat me GPRS. (Rexhep Qamili, TVM2)