Botë

Armëpushimi nuk u respektua, Rusia dhe Ukraina akuzuan njëra-tjetrën

08.01.2023 14:08

Këtë të dielë ka përfunduar zyrtarisht armëpushimi i njëanshëm i Rusisë në Ukrainë me rastin e Krishtlindjeve Ortodokse...

Këtë të dielë ka përfunduar zyrtarisht armëpushimi i njëanshëm i Rusisë në Ukrainë me rastin e Krishtlindjeve Ortodokse. Ky armëpushim nuk u pranua nga Ukarina, e cila e quajti hipokrizi. Në fakt edhe në terren sulmet nuk u ndalën, çka tregoi se edhe vetë ushtria ruse nuk e respektoi vendimin. 
 
Presidenti Volodymyr Zelensky, deklaroi se Moska gënjen për çdo gjë që thotë sepse predhat ruse goditën sërish Bakhmutin dhe pozicionet e tjera të Ukrainës. Sipas presidentit Ukrainas, asnjë premtim për armëpushim nuk duhet marrë seriozisht nga Rusia dhe se luftimet përfundojnë kur ushtari i fundit rus të largohet nga vendi. Ndërkohë Moska përmes Ministrisë së Mbrojtjes, tha se monitoroi armëpushin por forcat ruse u detyruan të zmbrapsin sulmet ukrainase. 
 
Nga terreni u raportuan edhe tre viktime dhe luftime me intesitet të lartë në Bakhmut, qytet të cilin rusët e konsiderojnë me rëndësi edhe për shkak të minierave të shumta që gjenden në të. Në Kherson, zyrtarët lokalë  njoftuan gjithashtu më shumë se 30 bombardime si pasojë e të cilave një person humbi jetën. Ndërsa autoritetet ruse pretenduan se dy termocentrale u goditën në rajonin e Denjeckut nga forcat ukrainase mëngjesin e kësaj të diele.