Maqedoni

Qytetarët: Qeveria të punojë për rritjen e standartit

08.01.2023 17:17

Viti që e lamë pas, kaloi nën hijen e krizës enegjetike dhe rritjes enorme të çmimeve...

Viti që e lamë pas, kaloi nën hijen e krizës enegjetike dhe rritjes enorme të çmimeve, gjë që shkaktoi ngarkesë shtesë në standardin edhe ashtu të rënduar të qytetarëve. Çmimet e ushqimeve, marrin të paktën gjysmën e të ardhurave mesatare të qytetarëve, ose shumë më tepër kur bëhet fjalë për ata që jetojnë me pagën minimale. Qytetarët e anketuar nga TVM2, nuk janë optimist që edhe ky vit të jetë më ndryshe se nga ai paraprak.
 
“Me rroga nuk mundemi t’ia dalim, por shpresojmë që të rregullohet. Qeveria së pari duhet të rregullohet dhe të mos jetë temë korrupsioni, mos të ketë diferenca dhe popullin ta shohin pak më tepër. Populli është lodhur.”, u shpreh një qytetar.
 
“Nuk mendoj se ky vit do të jetë më i mirë por i njejtë me atë paraprak. Me të ardhurët që i kemi shumë dobët, gjithqka është rritur tani asgjë nuk mund të marrësh me një rrogë 20 mijë apo 30 mijë nuk mund t’ia arrish.”, tha një qytetare.
 
“Unë nuk mendoj se do të bëhet më mirë por shpresa vdes e fundit. Unë nuk punoj,  prej vitit 92 jam i papunë. I marr ndihmë 4 mijë denarë, çfarë mund të bëhet me 4 mijë denarë.”, u shpreh një qytetar.
 
“Ia dalim muajit disi,  por me vështirsi. Qeveria duhet të ndërmerr masat të cilat janë të nevojshme.”, tha një qytetar.
 
Në fillim të vitit të kaluar, paga minimale u rrit nga 15.200 në 18.000 denarë, por inflacioni gjatë vitit i ka ngrënë këto para. Edhe paga mesatare sipas të dhënave të fundit të Entit Shtetëror të Statistikës, ka arritur pak më shumë se 33 mijë denarë, por shikuar nga të dhënat zyrtare, kostoja e jetesës në nëntor ishte 19.5% më e lartë se i njëjti muaj  një vit më parë. 
 
Se sa i vështirë ishte viti i kaluar tregojnë edhe të dhënat e Lidhjes së Sindikatave.  Për një vit, jetesa e një familjeje katër anëtarëshe është shtrenjtuar për 17 mijë denarë krahasuar me vitin e kaluar. Të njëjtat produkte dhe shërbime për të cilat familjet kanë paguar 34 500 denarë tani kushtojnë 51 500 denarë. Pushteti nga ana tjetër premton se në muajt e parë të vitit do të ketë rritje të pagës minimale dhe të pensioneve.
 
GAZMEND KURTISHI