Liderët shqiptarë të RMV-së nesër në Tiranë, në një takim joformal me kryeministrin shqiptar Rama
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama...

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thirrur nesër në Tiranë në një darkë informale, përfaqësuesit e të gjitha partive shqiptare të Maqedonisë e Veriut. Pjesëmarrjen në takim, tashmë e kanë konfirmuar 4 krerët e partive shqiptare.
Në darkën joformale do të marë pjesë lideri i BDI-së Ali Ahmeti, ai i PDSH-së Menduh Thaçi, i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari dhe i Alternativës, Afrim Gashi.
Vetëm lideri i Lëvizjes BESA, ende nuk ka konfirmuar nëse do të shkojë në këtë takim, sepse në vazhdimësi Bilall Kasami refuzon të ulet në të njëjtën tryezë me Ahmetin.
LSDM nuk sheh asgjë problematike nga ky takim. Madje thonë se Edi Rama është një mik i madh i vendit tonë, e të dyja shtetet po rrugëtojnë bashkë drejt integrimit në BE .
Sipas tyre, çdo iniciativë me qëllim të mirë është e mirëseardhur për ta.
Nga partitë e tjera nuk ka pasur komente deri në këtë moment. Takimi i fundit në Tiranë mes krerëve të politikës shqiptare në RMV dhe kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama, është mbajtur më 7 janar 2017.
Ky takim rezultoi me një deklaratë prej shtatë pikash të nëshkruar nga BDI, Besa dhe Aleanca për Shqiptarët, në të cilën ata ranë dakord për mbështetjen reciproke të agjendës së përbashkët politike, e cila parasheh realizimin e disa qëllimeve të përbashkëta në mandatin e ardhshëm të qeverisë dhe/ose në çdo mandat të mëtejshëm.
Gjashtë vjet më vonë, gama e çështjeve për diskutim përfshin perspektivat integruese, ndryshimet kushtetuese në RMV dhe mbështetjen e tyre nga partitë shqiptare, padyshim edhe situatën në rajon.
