Maqedoni
Ageler: Vit intenziv, prioritet lufta me korrupsionin
09.01.2023 14:26
Shtetet e Bashkuara do të riafirmojnë prioritetet e përbashkëta me vendin tonë...

Shtetet e Bashkuara do të riafirmojnë prioritetet e përbashkëta me vendin tonë, me theks të veçantë në luftën kundër korrupsionit, thotë ambasadorja amerikane Angela Ageler. Sipas saj kjo çështje dhe disa punë të tjera të rëndësishme do të diskutohen gjatë vizitës së këshilltarit të departamentit të shtetit, Derek Schole me zyrtarët e shtetit.
“Mendoj se e keni parë intervistën e mëhershme të tij, ku flet për prioritetet, siç është lufta kundër korrupsionit dhe kjo do të ngelet prioritet edhe për Uashingtonin. Ai do të diskutojë disa çështje në kuadër të vizitës së tij këtë javë.”, - deklaroi ambasadorja e ShBA-së në RMV, Angela Aggeler.
Osmani për sundimin e së drejtës: ShBA vendos vetë si do të bashkëpunojë me ne
Ministri Osmani thotë se ShBA-të e përcaktojnë vetë formën dhe mënyrën e kooperimit në fushën e sundimit të ligjit.
“U takon atyre të shohin se si do ta ofrojnë këtë mbështetje. Miliona euro shtesë për jurisprudencë i kanë dhënë vitin e kaluar; përmes përkrahjes financiare; përmes trajnimeve të ekspertëve dhe tani ka shpallje për listën e sanksioneve dhe kjo është në kuadër të bashkëpunimit të dakorduar dhe në interes të sundimit të së drejtës dhe ligjit në Maqedoninë së Veriut.”, - theksoi ministri i punëve të jashtme, Bujar Osmani.
Ndryshimet kushtetuese, Ageler: Vendime të vështira që hapin rrugën drejt BE-së
Ambasadorja Ageler komentoi edhe rëndësinë e ndryshimeve kushtetuese. E cilësoi si çështje shumë të vështirë, por megjithatë rekomandon tejkalimin e të gjitha barrierave që pengojnë perspektivën evropiane të vendit.
“E dimë që janë vendime të vështira, qytetarët tashmë kanë marrë vendime shumë të vështira, por ne mbështesim gjithçka që do t'ju mundësojë të ecni në atë rrugë.”, - u shpreh ambasadorja e ShBA-së në Shkup, Angela Ageler.
Këto komente u thanë gjatë shpalosjes së prioriteteve me kryesimin e Kartës së Adriatikut për vitin 2023. Si sfidë kryesore ministri Osmani përmendi Konceptin e ri Strategjik të A5 që duhet të pasqyrojë rolin e organizatës në dekadën e ardhshme.
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU
