Presidenca suedeze nis konsultimet për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE
Presidenca suedeze e Bashkimit Evropian....

Presidenca suedeze e Bashkimit Evropian ka nisur konsultimet me vendet anëtare lidhur me kërkesën e Kosovës për anëtarësim në Union.
Në këtë moment nuk dëshiron të paragjykojë se cilat do të jenë rezultatet e këtyre konsultimeve.
Përfaqësuesi i përhershëm i Suedisë në BE ka thënë se vendimi se si të veprohet me aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE është procedural, por edhe politik.
“Ne po konsultohemi me shumë shtete për të parë se si do të vendosim rreth kësaj kërkese. Kemi pesë vende që nuk e njohin Kosovën dhe është e natyrshme që me to konsultohem së pari. Me disa tashmë jam takuar dhe po vazhdojmë takimet. Është një vendim procedural, por ka një rëndësi të madhe politike. Nuk dua t’i paragjykoj rezultatet e konsultimeve, por sapo të shoh se po ndërtohet konsensusi mes vendeve anëtare se si të veprohet do të njoftoj vendet anëtare. Kemi dy alternativa: T’ia bartim Komisionit apo të mos ia bartim Komisionit. Por, po punojmë me shumë vullnet në këtë dosje.”, ka thënë ambasadori, Lars Danielson.
Sipas procedurave në BE pasi një shtet aplikon për anëtarësim, Këshilli kërkon nga komisioni Evropian që të përpiloj mendimin se a i përmbush apo jo aplikuesi kushtet për status kandidati dhe për nisjen e negociatave të anëtarësimit. Kosova ka dorëzuar kërkesën formale për anëtarësim në BE me 15 dhjetor.
Presidenca e atëhershme çeke nuk kishte kohë të shqyrtoj kërkesën, por vetëm i ka njoftuar vendet anëtare për dorëzimin e saj. Tanë këtë dosje e ka në duar presidenca suedeze e cila po konsultohet se si të vendosë.
Pas Suedisë Presidencën e radhës së BE-së e ka Spanja, një vend anëtarë i cili nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës.
