Maqedoni
Darka me Ramën në Tiranë, “Besa”: Jo takim vetëm kur i leverdis BDI-së
09.01.2023 15:09
Kreui BDI-së Ali Ahmeti, i PDSh-së, Menduh Thaçi, i Alternativës, Afrim Gashi dhe ai Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari...

Kreui BDI-së Ali Ahmeti, i PDSh-së, Menduh Thaçi, i Alternativës, Afrim Gashi dhe ai Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, kanë konfirmuar tashmë pjesëmarrjen në darkën joformale të së martës në Tiranë të thirrur nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Kreu i Lëvizjes “Besa”, Bilall Kasami, nuk do të marrë pjesë në takim, me arsyetimin se nuk ulet në një tavolinë me Ahmetin, rikonfirmojnë nga Besa.
“Ne jemi të gatshëm të bashkëpunojmë me Republikën e Shqipërisë dhe kryeministrin Rama, por si Lëvizje Besa nuk jemi të gatshëm të ulemi në tavolinë të njëjtë me BDI-në dhe liderin e tyre të cilët, gjithmonë kur ne kemi kërkuar takim për çështje të brendshme politike, ai asnjëherë nuk është treguar i gatshëm dhe gjithnjë, madje na ka quajtur “horra”. Nëse ne jemi “horra”, atëherë nuk shohim asnjë arsye të ulemi në tavolinë të njëjtë, kur atyre iu është e nevojshme një takim i tillë. Në këtë moment BDI-së i është e nevojshme ai takim, nuk shohim që dikujt tjetër i është e nevojshme.”, - deklaroi Fadil Zendeli nga Lëvizja “Besa”.
Takimi i ftuar nga Rama, Osmani: S’ka pse të krijohen teori konspiracioni
Për BDI-në, takimi joformal, nuk duhet parë as në prizmin e konspiracioneve, por si një takim normal i ftuar nga një mik, ku do të flitet për sfidat e përbashkëta rajonale.
“Kryeministri Rama është dëshmuar si mik i vërtetë i Maqedonisë së Veriut, duke u eksponuar shpesh në komentimin e raporteve tona me Bullgarinë, gjithmonë duke mbrojtur pozicionin e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe ne i jemi mirënjohës Shqipërisë dhe kryeministrit Rama për këtë pozicion të tij parimor që e ka pasur ndaj këtij kontesti ndaj RMV.”, - theksoi Bujar Osmani nga BDI.
Për Osmanin, “Besa” ka përzier interesat e ngushta partiake me interesat ndër-shtetërore dhe rajonale dhe refuzimi është thjesht tentim për fitim të pikëve politike.
ERSAN PAJAZITI
