Maqedoni
Gir: Ndryshimet kushtetuese të nevojshme
09.01.2023 15:35
Maqedonia e Veriut do të duhet të fokusohet në reforma drejt BE-së deri në zgjedhjet e vitit 2024...

Maqedonia e Veriut do të duhet të fokusohet në reforma drejt BE-së deri në zgjedhjet e vitit 2024, porositi euro-ambasadori Dejvid Gir para këshillit kombëtarë për eurointegrime, ndërkaq ndryshimet kushtetuese i vlerësoi si të patjetërsueshme drejt integrimit. Ftoi opozitën në konstruktivitet.
“Ndryshimet kushtetuese me qëllim përfshirjen e qytetarëve të cilët prononcohen si bullgarë, mbetet vendim sovran i Maqedonisë së Veriut, por nevojitet përmbushja e këtij ndryshimi që të mbahet momenti i negociatave. Bëhet fjalë për vendim, i cili nuk varet nga askush tjetër, përpos juve. Më lejoni që edhe njëherë të qartësojë se për t’u bërë anëtare e BE-së, në asnjë mënyrë nuk merret gjuha dhe identiteti juaj.”, - tha ambasadori i BE-së, Dejvid Gir.
Ndryshimet kushtetuese, Mariçiq: Kemi kohë të mjaftueshme
Nga qeveria optimist në ndryshimet kushtetuese brenda vitit, por nga opozita maqedonase kërkojnë që të merret parasysh mendimi i qytetarëve.
“Kemi kohë dhe hapësirë që me sukses të mbarojmë ndryshimet e patjetërsueshme kushtetuese që theksoi ambasadori Gir, për mbajtjen e dinamikës së negociatave dhe mënjanimin e një veto të re, kësaj radhe nga vetë ne që sërish të presim dhe ta vëmë shtetin në pritje të paparashikuar.”, - theksoi zëvendëskryeministri për eurointegrime, Bojan Mariçiq.
Nikollovski: Për kushtetutën, të pyetet populli
“Mendoj se duhet të respektohet edhe mendimi i popullit shumicë maqedonas pasi që çështjet që kanë të bëjnë me Bullgarinë prekin drejtpërdrejtë vetëpërcaktimin e popullit maqedonas, ku ka çështje për të cilat populli mendon se nuk duhet të pranohen.”, - deklaroi Aleksandar Nikollovski nga VMRO – DPMNE.
Xhejn: Lufta kundër krimit, thelbësore drejt BE-së
Përpjekjet e deritanishme të vendit në skriningun e nisur vlerësohen nga ambasadorja e Suedisë, vendi i së cilës do të kryesojë në gjashtë muajt e parë me Këshillin e Evropës. Kërkohet vëmendje t’i kushtohet sundimit të së drejtës dhe luftës kundër korrupsionit.
“Maqedonia u tregua mirë e përgatitur dhe profesionale në procesin e skriningut dhe vendosi qëllime ambicioze. BE bazohet në vlera, sundimin e së drejtës, të drejtat individuale, reformat dhe sistemi gjyqësor. Përkushtimi i fuqishëm për luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit janë esenciale për të shkuar përpara në BE.”, - u shpreh amabasadorja e Suedisë, Ami Llarson Xhejn.
Suedia gjatë kryesimit me këshillin e BE-së fokusin do ta vë edhe në korrupsionin tej kufitar, realizimin e tranzicionit të gjelbërt për furnizimin me energji elektrike si dhe gjithmonë do të jetë e gatshme për veprim për sigurinë e Evropës, përkrah Ukrainës duke i dhënë mbështetjen maksimale përballë agresionit rus.
MERAL ISMAILI
